Moska premtoi gjatë dialogut reduktim të intensitetit te luftimeve

Pavarësisht premtimit të Moskës për reduktimin drastik të sulmeve në Ukrainë pas zhvillimeve pozitive në negociatat e ndërmjetësuara nga Ankaraja me Kievin, e kundërta ndodh në terren.

Rusët nuk e kanë ulur intensitetin e bombardimeve. Zyrtarët lokalë në Çernihiv thanë se gjatë gjithë natës nuk është ndalur breshëria e predhave ruse.

Nga sulmi i të Martës në Mikolaiv ndaj selisë së adiministratës lokale ka arritur në 14 numri i viktimave. Viktimat janë persona që ndodheshin brenda ndërtesës, gjatë goditjes me predha, pasojat e të cilës duken qartë në këtë video.

Bombardimet janë intensifikuar në fshatrat dhe qytezat përreth Kievit, ku ushtria ukrainase ka rimarrë kontrollin e disa lagjeve të banuara, kryesisht në veri dhe lindje të kryeqytetit ukrainas. Ministria e Mbrojtjes bëri thirrje për më tepër ndihma në armatime nga perëndimi për t’i bërë ballë sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë ruse.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se forcat tokësore ruse kanë nisur tërheqjen nga veriu i Kievit. Sipas zbulimit britanik, kjo tërheqje nuk lidhet vetëm me angazhimin për të reduktuar sulmet, por me humbjet e rënda që u ka shkaktuar atyre ushtria ukrainase. Ministria ukrainase e Mbrojtjes njoftoi se numri i ushtarëve rusë të vrarë në 35 ditë luftime ka arritur në mbi 17 700.

“Ndërkohë Presidenti Ukrainas Volodymir Zelensky këtë e mërkurë zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin Amerikan Joe Biden . Telefonata e tyre zgjati një orë dhe Zelensky shkruajti në rrjetin social Twitter se ata diskutuan mbi situatën në terren, një paketë të re sanksionesh dhe gjithashtu mbi ndihmat financiare, humanitare dhe ushtarake”.

Që prej fillimit të luftës Kombet e Bashkuara flasin për gati 1200 civilë të vrarë, mes të cilëve 145 fëmijë. Sakaq, Kombet e Bashkuara thonë se numri i ukrainasve të larguarve drejt vendeve të Bashkimit Europian ka arritur në 4 milionë.

Tv Klan