132 të vrarë në Makariv, zbulohen varre masive

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Rusia po e intensifikon sulmin e saj në lindje të Ukrainës. Guvernatori i Luhanskut tha këtë të shtunë se do të nevojitet që më shumë njerëz të evakuohen nga ky rajon, pasi bombardimet janë shtuar gjatë ditëve të fundit dhe më shumë forca ruse kanë mbërritur atje.

Në Makariv, rreth 50 kilometra larg Kievit forcat ruse vranë rreth 132 civilë. Disa prej trupave të viktimave u gjetën në varre masive. Kjo u konfirmua nga kryebashkiaku i qytetit i cili tha se e gjithë infrastruktura e këtij qyteti është pothuajse e shkatërruar. Prej më shumë se një muaj, qytetarët atje vuajnë nga mungesa e ushqimeve, ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike.

Forcat ruse kanë publikuar ditën e sotme një video ku pretendojnë se kanë  shkatërruar  një depo municioni në bazën ajrore Myrhorod në Ukrainën qëndrore.

Ndërkohë që mbi sulmin  e ditës së premte në Kramatorks ku humbën jetën rreth 50 persona dhe u plagosën disa të tjerë ka reaguar edhe presidenti Volodymir Zelensky i cili e quajti këtë një tjetër krim lufte nga forcat ruse.

Aktiviteti ajror i forcave ruse pritet të rritet edhe në jug të vendit. Ditën e shtune është njoftuar një shtetrrethim në qytetin port jugor të Odesës që do të nisë mbrëmjen e kësaj të shtune dhe do të përfundojë të hënën në mëngjes.

Zyrtarët ukrainas ndërkohë kanë njoftuar se për ditën e sotme është dakordësuar për hapjen e 10 korridoreve humanitare.

Tv Klan