Franca zgjohet e terrorizuar si pasojë e masakrës në Strasburg, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagosën të paktën 12 të tjerë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një treg Krishtlindjesh rreth orën 20:00, kur agresori hapi zjarr ndaj njerëzve dhe më pas u përplas me policinë. Sipas mediave franceze, dyshohet se ai është plagosur.

Autori i sulmit është 29-vjeçari Cherif Chekatt. Sipas mediave në Francë, ai është një person me precedentë penalë dhe figuron në dosjet e anti-terrorit francez si person me pririje radikale.

Policia ka nisur një gjueti të vërtetë për kapjen e Cherif Chekatt duke angazhuar 350 oficerë. Në banesën e tij, agjentët francezë gjetën lëndë shpërthyese, por jo vetë terroristin. Në rrugët e Strasburgut zbarkoi edhe ushtria. I gjithë vendi ka kaluar në gjendje emergjence atentatesh, pasi autoritetet i druhen sulmeve të tjera në ditët e festave të fundvitit.

Tv Klan