Policia në Austri ka zhvilluar kontrolle të shumta gjatë ditës së sotme, pak orë pas natës tragjike të sulmit terrorist në Vjenë.

Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se janë kryer 14 arrestimet, për të zbuluar sa më shumë prova për vrasjen e 4 personave nga një terrorist.  

Njeriu që akuzohet për kryerjen e sulmit është një “terrorist islamik” 20-vjeçar, i cili është liruar nga burgu në dhjetor 2019.

Gjatë gjithë ditës së sotme janë zhvilluar kontrolle të shumta dhe në çdo rrugë të kryeqytetit siguria ka qenë e lartë, por ministri i Brendshëm, Karl Nehammer nuk ka përjashtuar mundësinë e një sulmuesi të dytë.

Disa dëshmitarë kanë thënë se kanë parë më shumë se një person të armatosur dhe policia ende po vlerëson rreth 20,000 video të publikuara në mediat sociale, për të zbuluar dhe autorët e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë./tvklan.al