Tensione dhe përplasje të dhunshme ka patur në shumicën e Bashkive që drejtohen nga opozita. Punonjësit e bashkive dhe protestues nuk kanë lejuar shpërndarjen e materialeve zgjedhore në 14 Komisone Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Situatë e rënduar është paraqitur mbrëmjen e së mërkurës në Kavajë, ku si pasojë e përplasjes me policinë disa protestues kanë mbetur të plagosur.

Fillimisht protestuesit kanë tentuar të shpërthejnë derën e KZAZ-së numër 42 që ndodhet në palestrën e Shkollës 9-vjeçare “3 Dëshmorët”, ndërsa policia i është përgjigjur me hedhje gazi lotësjellës dhe ujë. Si kundërpërgjigje ndaj policisë është hedhur ujë nga forcat e zjarrëfikësve të Bashkisë së Kavajës.

Më herët mbështetës të opozitës sulmuan  KZAZ-në numër 16 në Burrel. U përplasën me policinë, duke kërkuar lirimin e ambienteve, në mbështetje të dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Në mbështetje të Forcave të Rendit, që thonë se po zbatojnë me përpikmëri ligjin për të mbrojtur KZAZ-të, erdhën Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Nga përplasja pati disa të plagosur. Një nga mbështetësit e opozitës u dërgua me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë.

Pas rreth dy orë tensionesh, protestuesit arritën t’i nxjerrin nga KZAZ-ja materialet zgjedhore dhe u vunë flakën. Pas kësaj, bllokuan rrugën nacionale dhe u drejtuan në Klos, ku gjithashtu sulmuan KZAZ-në numër 17.

I nxorrën materialet jashtë dhe i dogjën. Tensionet pati edhe Bashkinë e Kukësit. Pasi protestuesit tentuan  të bllokojnë mbledhjen e materialeve zgjedhore, policia i ka nxjerrë ato vullnetarisht.

Incidente u regjistruan edhe në KZAZ Nr 27 në Kamëz.

“Ka qenë ora 10:30 e mëngjesit të sotëm kur Policia Bashkiake e Kamzës, e përkrahur nga simpatizantë të Partisë Demokratike ka tentuar të hapë portën për të marrë materialet zgjedhore. Ka qenë ky momenti që ka krijuar përplasje mes tyre dhe Forcave të Rendit”.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë përdorur sprai lotsjellës për të shpërndarë turmën. Si pasojë u lënduan 2 policë bashkiakë. Situatë më e tensionuar ka qenë edhe në Pogradec, ku protestuesit janë përpjekur të marrin në kontroll mjediset e KZAZ-së.

Drejtues të Bashkisë së Kavajës dhe mbështetës të opozitës i vunë një ultimatum policisë për liruar ambientet e KZAZ-së 42 që ndodhet në palestrën e shkollës 9-vjeçare “3 Dëshmorët”.

Një ditë më parë në Shkodër, punonjës të bashkisë të mbështetur nga protestues të opozitës, i vunë vënë flakën KZAZ numër 3, e cila ndodhet në ambientet e shkollës së mesme “Shejnaze Juka”. Në Tropojë po ashtu u sulmua KZAZ-ja e vendosur në Muzeun Historik.

Policia njoftoi arrestimin e 12 personave për incidentet e ndodhura në këto Bashki, ndërsa ka shpallur 20 të tjerë në kërkim, 29 janë shoqëruar në polici ndërsa 7 persona po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, mes tyre edhe ish-deputetët të opozitës dhe funksionarë të Bashkive. Ata akuzohen për shkatërrim të pronës, dëmtim me dashje të materialeve zgjedhore dhe kundërshtim të policisë.

Tv Klan