Konsullata ruse në Athinë është sulmuar nga persona të panjohur mëngjesin e kësaj të premteje. Sipas mediave greke, në derën hyrëse të konsullatës shpërtheu një granatë.

Kamerat e sigurisë kanë filmuar një motor të dyshimtë me të cilin udhëtonin dy persona rreth orës 03:50. Dy të dyshuarit hodhën granatën përpara konsullatës dhe u larguan me shpejtësi me motor. Nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar. Pesë minuta më vonë, policia gjeti një motor duke u djegur në një rrugë në lagjen “Exarchia”. Autoritetet greke janë duke verifikuar nëse motori i djegur është përdorur në sulmin ndaj konsullatës së Rusisë.

Policia do të analizojë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në rrugët e tjera për të parë drejtimin nga u arratisën dy personat e dyshuar për sulmin me granatë. Në hetimet për këtë ngjarje janë përfshirë edhe agjentë të antiterrorit. Sulmi ndaj konsullatës ruse ka ngjashmëri me sulmin që iu bë ambasadës fraceze në Nëntor të vitit 2016, raportojnë mediat greke. /

tvklan.al