Rreth orës katër të mëngjesit është sulmuar me koktej molotovi zyra e Shefit të Kabinetit të Presidentit të Kosovës, e cila ndodhet në një pjesë të godinës së Kuvendit.

Lajmi është konfirmuar nga Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se kanë nisur hetimet për autorët e këtij sulmi ndaj institucioneve shtetërore.

Policia nuk ka dhënë ende detaje për ngjarjen apo për autorët e sulmit.

Një reagim ndaj këtij akti ka pasur Partia Demokratike e Kosovës. PDK konsideron se veprimet e tilla, po cënojnë vlerat themelore të shtetit dhe janë qartësisht anarkiste. Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje organeve kompetente, që ky akt të ndriçohet sa më shpejt dhe autorët e kësaj vepre të shëmtuar të vihen para drejtësisë.

Tv Klan