Simpatizantë të opozitës kanë sulmuar me molotov këtë të enjte një shkollë në Shkodër. Bëhet fjalë KZAZ-në Nr 6 në Bushat të Vaut të Dejës. Burime zyrtare të Policisë së Shkodrës thonë se nga ngjarja mbetën të plagosur 3 efektivë policie.

“Sonte, rreth orës 20:00 janë grumbulluar rreth 200-250 simpatizant të PD, tek KZAZ nr.6 e cila ështe ngritur prane një shkolle në Bushat, Vau i Dejës. Gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë janë plagosur 3 punojës policie të Komisariatit Vau Dejës, që ishin në shërbim. Ata po marrin ndihmë mjekesore në Spitalin Rajonal Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ngjarja u dënua nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili në një reagim në Twitter tha se përgjegjësit do të përballen me ligjin. “Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, si shenjë skizofrenie politike e PD për të penguar zgjedhjet. Kryetarët pa mandat nuk mund të mbajnë peng bashkitë me molotov. Ligji do të veprojë!”, shkruajti Lleshaj.

Policia thotë se deri më tani janë shoqëruar 9 persona dhe vijon puna për kapjen dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje. “Grupi hetimor i ngritur për çeshtjen, në bashkëpunim me Prokurorinë po kryen veprime intensive hetimore për vënien përpara ligjit të autorëve dhe drejtuesve të sulmit”, thuhet më tej në reagimin e policisë.

/tvklan.al