Tre persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim për dhunën e ushtruar në KZAZ-në e Kamzës, që ndodhet në shkollën “Ibrahim Rugova”. Dy prej të prangosurve janë punonjës të Bashkisë.

Në gjendje të lirë po procedohen edhe Kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj dhe ai i Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Ata akuzohen se kanë bërë thirrje për veprime të dhunshme në prag të zgjedhjeve të 30 Qershorit. Për nisjen e hetimeve ndaj tyre ka reaguar Partia Demokratike.

“Aktet dhe veprimet kundër qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës, si këto kundër Kryebashkiakëve Frrokaj dhe Kapllanaj, do të marrin përgjigjen e merituar. Kushdo që po përdoret si vegël represioni ndaj opozitës, me apo pa uniform, do të përgjigjet ligjërisht dhe personalisht, për sulmin që po i bën opozitës dhe qytetarëve, për llogari të pushtetit kriminal të Edi Ramës”.

Rreth 220 persona janë proceduar për dhunën ndaj KZAZ-ve në bashkitë e opozitës.

Tv Klan