Brenton Tarrant, 28-vjeçari i akuzuar si autori i sulmit në dy xhami të Zelandës së Re, thuhet se ka vepruar i vetëm. Kjo pistë konfirmohet deri tani nga policia vendase. Tre persona të tjerë që u arrestuan pas sulmit si bashkëpunëtorë të të dyshuarit, nuk janë të përfshirë në ngjarje, raporton BBC. Nga sulmi me armë në dy xhami mbetën të vrarë 50 persona. Rreth 34 të tjerë mbetën të plagosur dhe ndodhen të shtruar në spital për trajtim mjekësor. Një vajzë 4-vjeçare është në gjendje të rëndë.

Kryeministrja e Zelandës së Re ka paralajmëruar se do të rishikohet ligji i armëve në vend pas sulmit të rëndë që tronditi vendin. Akti terrorist i 28-vjeçarit u transmetua live në Facebook nga vetë sulmuesi. Facebook njoftoi më vonë se e kishte fshirë videon që kishte marrë më shumë se 1.5 milionë shikime.

Brenton Tarrant doli para gjykatës të shtunën me pranga në duar dhe duke buzëqeshur para kamerave. Ai është akuzuar për vrasje, por në vijim pritet që ndaj tij të ngrihen edhe akuza të tjera. Ai kishte leje për të mbajtur armë dhe posedonte 5 të tilla. Nga të dhënat është konfirmuar se nuk ka pasur dosje penale të mëparshme, por ka qenë në fokus të shërbimeve të sigurisë në Zelandën e Re dhe Australi, vendin e tij të origjinës.

/tvklan.al