Një 22-vjeçar me inicialet F. P. ka rënë në prangat e policisë në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” pasi gajtë ditëve të fundit ka grabitur para dhe produkte, në 3 biznese në qytetin e Beratit.

Sipas asaj që njofton policia 22-vjeçari i ka kryer këto vjedhje gjatë periudhës 9-12 Dhjetor, 2023.

“Në vijim të patrullimeve në terren dhe bashkëpunimit me qytetarët, të intensifikuara gjatë muajit dhjetor, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e vjedhjeve dhe për arrestimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat kanë administruar kallëzimet për 3 raste vjedhjesh të kryera gjatë periudhës 9-12 dhjetor, 2023.

Nga veprimet e shpejta hetimore dhe procedurale, u identifikua, u kap dhe u arrestua shtetasi F. P., 22 vjeç, banues në Berat.

Shtetasi F. P. dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe produkte të ndryshme, në 3 biznese në qytetin e Beratit. Ndërkaq, vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme./tvklan.al