Sundoi për 4 dekada, shuhet ish-udhëheqësi i Zimbabve

Sundoi për 4 dekada, shuhet ish-udhëheqësi i Zimbabve

12:38 06/09/2019

Robert Mugabe, ish-President i Zimbabve që udhëhoqi vendin për 37 vjet, është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare. Prej muajit Prill ai kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe merrte trajtim mjekësor në një spital në Singapor.

Mugabe qëndroi në pushtet deri në vitin 2017 kur u rrëzua nga një grusht shteti ushtarak. Ish-Presidenti Robert Mugabe konsiderohet si ikona e Pavarësisë së Zimbabve. Gati 40 vjet në krye të shtetit afrikan, pushteti i tij degradoi në tirani, korrupsion dhe kolaps financiar. Vdekja e tij shënon fundin e një epoke në historinë e ish-kolonisë britanike.

Robert Mugabe lindi më 21 Shkurt të vitit 1924 në Rhodesia, ish-koloni britanike dhe që sot është në territorin e Zimbabve. Në vitin 1964 ai u burgos për më shumë se 10 vjet pa gjyq, për shkak se kritikoi qeverinë e asaj kohe. Në vitin 1973, teksa ishte ende në burg, u zgjodh si President i Bashkimit Kombëtar Afrikan të Zimbabve, një ndër themeluesit e saj.

Roli i tij është vlerësuar si vendimtar për Pavarësinë e Zimbabve dhe udhëheqja e tij është përgëzuar në fillimet e pushtetit, por vitet e fundit ishte kthyer në një figurë përçarëse për vendin dhe kontinentin. /tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi