Super Liga Europiane duket se fundin e ka shumë afër. Një prej 12 ekipeve themeluese të saj është tërhequr nga kjo nismë e ekipeve më të forta europiane. Bëhet fjalë për Manchester City-n. BBC njofton se po ashtu edhe Chelsea po bën përgatitjet që të tërhiqet nga Super Liga.

Vendimi për të qenë pjesë e këtij kompeticioni ka shkaktuar protesta të mëdha. Po ashtu, Super Liga ka marrë kritika të mëdha në të gjithë botën pas shpalljes që iu bë nga 12 klubet themeluese të dielën.

Rreth 1000 tifozë u mblodhën jashtë stadiumit të Chelsea-t përpara ndeshjes me Brighton për të protestuar vendimin e “Bluve” për të qenë pjesë e Super Ligës. Chelsea dhe Manchester City janë dy prej gjashtë ekipeve angleze që pranuan që të hyjnë në ligën e re.

Në total ishin 12 klube europiane që shpallën qëllimet e tyre për të formuar një ligë ku ndeshjet do të zhvilloheshin në mesin e javës. Por kjo nismë është dënuar nga autoritetet futbollistike dhe madje disa qeveri. /tvklan.al