Pas suksesit në Europë ku kaluan në turin e dytë të UEFA Europa League, Teuta dhe Tirana ngrenë siparin e edicionit të ri 2020-2021 të futbollit shqiptar.

Durrsakët sfidojnë 25 herë kampionët e vendit për trofeun e parë të sezonit, atë të Superkupës së Shqipërisë, duel që do të luhet nën dritat e prozhektorëve në stadiumin “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 20:00.

Teuta-Tirana është një finale e përsëritur e sezonit të shkuar. Pikërisht ky duel përcaktoi edhe fituesin e Kupës së Shqipërisë, Teutën, që vjen në këtë përballje me moralin e lartë dhe synon ta fitojë për herë të parë trofeun e Superkupës.

Megjithatë përballja e sotme do të ketë një tjetër histori, pasi zbret në fushë skuadra që e ka fituar më shumë këtë trofe, Tirana me 11 suksese. Nën drejtimin e Emanuel Egbo, bardheblutë duket se kanë gjetur çelësin e sukseseve, por për teknikun kjo e sotmja nuk është aspak një hakmarrje.

“Nuk e shoh si hakmarrje ndeshjen e Superkupës. E shoh si ndeshje që shënon fillimin e sezonit. Do të futemi në fushë mendjen për ta fituar, por është thjesht një ndeshje”.

Skuadrat vijnë të plota në këtë përballje, me dy teknikët që pritet t’i besojnë njëmbëdhjetëshes që hodhën në mesjavë ndaj Beitar Jeruzalem dhe Crvena Zvezda. Sfida e sotme do të transmetohet ekskluzivisht në televizionin kombëtar “Klan Plus” dhe do të gjykohet nga 6 arbitra të FIFA-s, me kryesor Enea Jorgjin.

Klan Plus