Perez: Duam dialog. Infantino: Rrezikoni përjashtimin

Superliga e Europës ka lindur si nevojë për të shpëtuar futbollin. Është një ide që maturohet që prej 2009 dhe më në fund, Florentino Perez, në cilësinë e Presidentit të këtij kompeticioni të ri shpjegoi arsyet e krijimit.

“Duke bërë Superligën në vend të Championsit, do të jemi në gjendje të mbulojmë humbjet e mëdha për shkak të krizës. UEFA nuk duhet të kërcënojë por të dialogojë. Kur burimi i vetëm i fitimit është e drejta televizive, duhet të gjesh një mënyrë për të ndryshuar dhe zgjidhja e vetme është të luash ndeshje më konkurruese gjatë javës, që mund të kenë më shumë interes. Super League do t’i shpëtojë nga kriza financiare të gjitha klubet”.

I fortë ishte reagimi i Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë punimeve të  Kongresit të UEFA në Montreux të Zvicrës.

“Si FIFA, jemi kundër Superligës. Është çështje e mbyllur. Është një largim nga institucionet aktuale, nga ligat dhe nga federatat. Është jashtë sistemit. Nëse disa zgjedhin të shkojnë në rrugën e tyre, duhet të pranojnë pasojat. Janë përgjegjët për zgjedhjet e tyre. Konkretisht kjo do të thotë ose je brenda ose je jashtë. Nuk mund të qëndrosh në mes”.

Ndërsa Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin la një mundësi për të rikthyer gjerat siç ishin më parë.

“Zotërinj, keni bërë një gabim të madh. Dikush mund të thotë që është kopraci, injorancë ose diçka tjetër, por nuk ka rëndësi, jeni ende në kohë për të ndryshuar ide. Të gjithë bëjnë gabime”.

Reagimet janë të ndryshme në mbarë botën. Në Angli thuhet se Chelsea dhe Manchester City kanë dyshime për të qenë pjesë e Superligës. Po ashtu edhe tifozët në Britani dhe Spanjë kanë dalë kundër Superligës.

Ndërkaq, e sigurtë është që edicioni i sivjetshëm i Champions League do të vazhdojë me të njëjtat klube dhe se nuk do të ketë përjashtime të tyre për shkak të pjesëmarrjes në Superligën e Europës.

Tv Klan