Mbetet e hapur lufta për titullin, Europën dhe mbijetesën

Të gjithë kundër të gjithëve, për të fituar çdo ndeshje. Janë 5 javët e fundit të sezonit dhe askush nuk është në pozicione të sigurta. Kjo situatë e Superligës rrit tensionet, dhe nga ana tjetër edhe shpresën për çdo ekip që të arrijë objektivin. Megjithëse është 7 pikë larg kreut të renditjes, edhe Tirana e vendit të 5 pretendon titullin.

“Mendoj se kemi shanset tona nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet. Kjo javë është shumë përcaktuese për ne, ku marrim gjithë frytet e sezonit. Tirana ka pasur një sezon shumë të ngarkuar sepse ka nisur shumë herët vitin futbollistik. Rasti i parë që do na jepet, do duhet ta shënojmë sepse na ndihmon për vazhdimësinë e ndeshjes”, tha Shehi.

Nën presion janë tek Partizani. Vendi i parë që të kuqtë siguruan një javë më parë është pozicion delikat, aq më tepër kur do të udhëtojnë në Korçë.

“Do jetë një ndeshje e luftuar, por do të shkojmë në Korçë për të luftuar për marrjen e tre pikëshit. Unë nuk e kam për herë të parë në krye, janë edhe disa lojtarë që kanë dalë kampionë me Partizanin, kanë eksperiencë për të menaxhuar këto situata. Na vjen mirë që jemi në krye, e kemi merituar të jemi aty. Duhet të vazhdojmë dhe të fokusohemi te Skënderbeu, nuk do na bënte mirë të shpërndaheshim te ndeshjet e tjera”, tha Daja.

Pozicioni i Partizanit kërcënohet më së shumti nga Teuta që ndjek në vendin e dytë me një pikë më pak dhe që këtë javë pret Bylisin. Këtë të shtunë për javën e 32 të kampionatit do të luhet edhe Apolonia-Laçi.

Tv Klan