Faza e tretë bëri akoma më interesante garën për mbijetesë në Superligë. Pas Kamzës së përjashtuar, beteja më e fortë është mes Luftëtarit, Tiranës dhe Kastriotit. Diferencat janë të ngushta pas fitoreve të gjirokastritëve dhe krutanëve dhe humbjes së ekipit kryeqytetas këtë të shtunë. Luftëtari dhe Kastrioti befasuan me përmbysjet ndaj Partizanit dhe Kukësit, por asgjë nuk ka marrë fund. Të mërkurën do të jetë një përballje direkte.

Trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli kërkon një tjetër fitore me Luftëtarin.

“Duhet të vazhdojmë punën pasi kemi ndeshje në mesjavë me rivalin tonë direkt, të vazhdojmë punën dhe të marrim maksimumin”, tha Devolli.

Te Tirana janë rikthyer makthet e dy sezoneve më parë. 2 pikë në 4 ndeshjet e fundit janë pak për të qenë të qetë.

“Duhet të punojmë me anën psikologjike që të japim rezultat në fushë”, tha Ardian Mema, trajner i Tiranës.

Faza e katërt do të nisë me pushim për bardheblutë që përfitojnë 3 pikët në tavolinë me Kamzën. Në krye të klasifikimit është Partizani i shkëputur 9 pikë nga Kukësi që pas shkarkimit të Ramazan Ndreut do të drejtohet nga Ernest Gjoka.

Drejtuesit e klubit kthyen trajnerin që i shpalli për herë të parë kampion. Matematikisht gara është e hapur, por gabimet nuk lejohen nëse pretendon të fitosh titullin. Asgjë nuk është e ndarë edhe në kupat e Europës, pasi ekipet janë pranë me njëri-tjetrin nga vendi i dytë në të gjashtin.

Tv Klan