Kërkohet plotësimi i kërkesave ekonomike

“Këtë të shtunë në stadiumin “Selman Stërmasi” duhet të luhej ndeshja Tirana-Teuta, bashkë me Kukësi-Partizani, do të ishin dy ndeshjet më të rëndësishme të javës së dytë të Superligës për sezonin e ri, por futboll nuk u luajt. Skuadrat zbritën në fushë për të protestuar. Kapitenët lexuan nga një deklaratë”.

“Ne dhe klubet tona jemi shumë larg kushteve të kolegëve tanë. Nuk kërkojmë luks, nuk kërkojmë pasuri, por më shumë vëmendje ndaj lojës më të rëndësishme të shqiptarëve”.

“I dashur kryeministër mbaje premtimin dhe na kthe në fushë. Ne shpresojmë shumë në mirëkuptimin dhe arsyetimin tënd. Ne nuk do të kthehemi të luajmë pa përmbushur kërkesat e paraqitura. Ne ju bëjmë thirrje, bashkohu me ligën, bashkohu me ne, mbështet futbollin”.

Në Elbasan Arena duhet të luhej Kukësi-Partizani. Pas deklaratave të kapitenëve në fushë, folën trajnerët Gega dhe Daja.

“Duhet një bashkëpunim me sinqeritet, dashamirësi e të gjithë palëve, për t’u bërë e mira për të gjithë. Futbolli nuk është i ndarë nga ky shtet po as sportet e tjera, janë pjesë e këtij shteti”.

“Shpresojmë në bonsensin e qeverisë, me në krye dhe Kryeministrin, sepse siç dihet, i di më shumë hallet tona, sepse është edhe vetë edhe i fushës”.

E njëjta histori, i njëjti mesazh ishte në të gjithë stadiumet ku duhet të luheshin ndeshjet e javës së dytë.

Ky ishte hapi i dytë i klubeve që protestojnë derisa kërkesat e tyre ekonomike të plotësohen nga qeveria. Thirrje për këtë qëllim janë bërë nga liga profesioniste dhe së fundmi Presidenti i FSHF, Armand Duka, iu drejtua Kryeministrit Rama me një letër të hapur.

Tv Klan