Kukësi thyen Vllazninë, Tirana ende pa fitore

Pas javës së 5 të Superligës renditja përmbyset. Partizani në vend të parë me 10 pikë, barazoi me Vllazninë, por me golavarazh më të mirë. Të kuqtë fituan 4-0 me Skënderbeun. Skuadra e Ilir Dajës e mbylli ndeshjen që në pjesën e parë me 3 gola të shënuar nga Bardhi, Mala dhe Lucas. Në të dytën, në minutën e 70, realizoi Solomon.

Kukësi ngrihet në renditje falë fitores në “Loro Boriçi” me Vllazninë 4-2. Ishin të zotët e shtëpisë që shënuan të parët, por një minutë më pas Ibraimi barazoi. Në mesin e pjesës së parë, sërish ai kaloi në avantazh me 11 metërsh. Në pjesën e dytë, Eze realizoi golin e tretë për Kukësin, që po drejtohet nga Rraman Hallaci. Loja u hap sërish në minutën e 86, teksa Ghoxhaj shënoi për Vllazninë. Kishte shpresa për shkodranët, por ato i vrau Limaj, 4 minuta pas kohës së rregullt.

Tirana mori një tjetër barazim. Në ndeshjen e javës së 5 të Superligës, bardheblutë siguruan vetëm një pikë nga përballja me Kastriotin. Tirana shënoi shumë shpejt me Muçin që në minutën e 8, ndërsa pjesa e parë përfundoi barazim pas golit të Devid për krutanët. Asnjëra nga skuadrat nuk u pajtua me barazimin dhe në pjesën e dytë u kërkua avantazhi deri në sekondat e fundit, por rezultati mbeti i pandryshuar. Kjo ishte ndeshja e tretë e Nevil Dedës në pankinën bardheblu.

Laçi fitoi thellë 5-1 ndaj Apolonisë, ndërsa mes Ballshit dhe Teutës përfundoi me rrjeta të paprekura.

Tv Klan