Shkencëtarët thonë se kanë zgjidhur misterin që qëndron në zemër të një shpërthimi të famshëm kozmik.

Në shkurt 1987, një yll u pa duke shpërthyer në një galaktikë aty pranë. Ai ishte i dukshëm nga Toka për muaj të tërë, duke ndriçuar me fuqinë e 100 milionë diejve.

Kishte aq shumë mbetje nga shpërthimi i yllit, saqë as teleskopët më të fuqishëm nuk mund të konfirmonin atë që kishte mbetur në zemër të tij.

Shpërthimi ishte i një ylli të madh, 20 herë më i madh se Dielli ynë, i ashtuquajtur ‘supergjiganti blu’. Jeta e tij përfundoi në një mënyrë spektakolare, në një proces të quajtur supernova, specifikisht SN 1987A.

Ishte supernova e parë e dukshme me sy të lirë për 400 vjet, dhe ishte nga një yll, detajet e të cilit ishin mbajtur shënim nga astronomët përpara se të shpërthente.

Vëzhgimet e SN 1987A na ndihmuan të kuptojmë më mirë teoritë mbi vdekjen e një ylli, por gjithmonë ka munguar një pjesë kritike e enigmës – ajo që mbeti në zemër të saj, pas një ngjarje kaq kataklizmike.

Sipas teorisë, yjet shkatërrohen kur u mbaron lënda djegëse për të kryer reaksionet bërthamore që i bëjnë ata të shkëlqejnë. Masa e yllit është aq e madhe sa forca e tij gravitacionale shtyp atomet e veta për të prodhuar materialin më të dendur në Univers, i cili quhet yll neutron; nëse është një yll më i madh, mund të kthehet në një vrimë të zezë. Por cila nga këto të dyja mbeti në zemër të yllit?

Studiuesit që shkruajnë në revistën “Science” thonë se ata kanë prova të forta që është një yll neutron.

Prof. Claes Fransson, i Universitetit të Stokholmit në Suedi, i cili drejtoi studimin, tha se kjo ishte hera e parë që dikush ishte në gjendje të hetonte qendrën e supernovës dhe atë që u krijua atje.

“Tani e dimë se ekziston një burim kompakt i rrezatimit jonizues, me shumë gjasa nga një yll neutron. Ne e kemi kërkuar këtë që nga koha e shpërthimit, por duhej të prisnim që të ishim në gjendje të verifikonim parashikimet”, tha Claes Fransson. /tvklan.al