Një prokuror dhe disa zyrtarë të tjerë të policisë janë vënë në pranga si pasojë e operacionit antidrogë “Shpirti” i organizuar nga SPAK në bashkëpunim me Antimafian italiane. Mësohet se prokurori i arrestuar është Maksim Sota, i cili aktualisht ushtron detyrën në prokurorinë e Vlorës. Sota është lënë në arrest shtëpie nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sota, dikur ka qenë kandidat për në SPAK, por u skualifikua nga gara.

Prokurori Maksim Sota

Në pranga kanë rënë edhe zyrtarë të lartë të policisë dhe administratorë të pushtetit lokal, më saktësisht një drejtor. Mes personave të arrestuar janë ish-nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, si dhe Festim Lelaj, një ish-oficer policie i arrestuar edhe më herët për trafikim lëndësh narkotike në drejtim të Italisë. Për Ballën është lënë masa e sigurisë “Arrest shtëpie”. E njëjta masë është lënë edhe për Artur Krasniqin dhe Luan Zylyftarin, por nuk dihet ende roli i tyre në këtë aktivitet të paligjshëm.

SPAK ka njoftuar se dy punonjës policie të arrestuar kur kanë kryer veprën penale në vitin 2016 kanë qenë pjesëtarë të grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ai ishte ministër. Por ajo që ka zbuluar SPAK është fakti se zyrtarët publikë, në disa raste kanë qenë edhe pronarë të drogës. Ata kanë garantuar jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë.

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, njoftoi gjatë një konference të përbashkët se institucioni që ai drejton do t’i shkojë deri në fund hetimit dhe personat përgjegjës do të përgjigjen penalisht, përfshirë këtu edhe zyrtarët publikë.

“Para një viti ne ishim në konferencë në Romë, ku sqaruam fazën e parë të këtij operacioni. Në takim kam theksuar një fjalë se do i shkojmë në fund hetimit për të zbuluar se kushdo që është i përfshirë në këtë aktivitet do të përgjigjet penalisht, përfshirë edhe zyrtarë publikë. Jemi në situatë ku e kemi mbajtur premtimin dhe do vazhdojmë në të njëjtën rrugë”, tha Arben Kraja.

Ndërkohë Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në arrest me burg disa persona të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës. Ata janë: Aleks Memaj, Jovan Memaj, Aleksandër Neço, Shkëlzen Kamberi, Benard Tahiraj, Mereglen Çaçi, Erind Hysomenaj, Klajdi Ademi, Toni Kushi, Erion Hoxhara, Çezar Gjomemo, Sajmir Kurti, drejtor i zyrës së Punës në Kavajës; Malton Lleshi, Shkëlzen Daçi, Eltion Bregasi, Paul (Agustin) Deda, shoqërues i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në vitin 2016; Hekuran Marku, shoqërues i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në vitin 2016; Hamid Seferi, Leonidha Sejdiaj, Ilir Gaba, Geri Zylyftari, Erlind Zylyftari, Artan Zylyftari, Festim Lela, Ish-oficeri i policisë, i proceduar më parë për trafik narkotikësh.

Po ashtu janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë disa miliona Euro.

Në ndihmë të hetimeve italo-shqiptare janë edhe dëshmitë e 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Operacioni italo-shqiptar është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Antimafias italiane të Barit./tvklan.al