Në mes të sezonit turistik agjencitë detare në Sarandë u përballën me një surprizë të pakëndshme. Kryetari i Shoqatës së Agjencive Detare, Ben Çipa shpjegoi sesi funksionon ky aktivitet dhe përshëndeti vendimin e qeverisë për heqjen e akcizës për karburantin e anijeve të ndryshme detare.

Në muajin maj shoqëria “Konkord Invest” mori me koncension gjysmën e Portit të Limionit. Pas kësaj, në mënyrë arbitrare, vuri një taksë me vlerë 0.06 cent për litër karburant, duke ua ngarkuar pagesën agjencive detare.

Kjo shoqëri shkeli kontratën, çka penalizon hyrjen e jahteve dhe mjeteve të tjera lundruese në Sarandë. Një jaht furnizohet me 40,000 litra karburant, çka do të thotë se duhet të paguajë 2,400 euro ekstra koncesionarit.

Çipa theksoi:

“Ne jemi ndërmjetës, nuk jemi furnitorë në lidhje me karburantin. Ne jemi ndërmjetës dhe marrim përsipër pjesën e menaxhimit të agjencive detare. Pra, nuk na takon neve kjo pjesë

”.

Një prej agjencive detare më serioze në botë, nëpërmjet një email-i, ka shprehur zhgënjimin për këtë taksë. Sete Yacht Management SA u shpreh se vendosja e kësaj tarife ka frenuar ndjeshëm interesimin e madh të jahteve të huaja për t’u furnizuar me karburant në Portin e Sarandës.

Largimin e disa jahteve për shkak të taksës së vendosur nga koncesionari e pohoi edhe kryetari i Shoqatës së Agjencive Detare. Emisioni “Stop” vuri në dijeni për këtë ministrinë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Porteve, Paulin Ndreu deklaroi zgjidhjen e situatës.

“Duke u njohur me këtë lloj situate, ne erdhëm dje dhe me shkresë të veçantë i kemi kërkuar autoritetit lirimin e vullnetshëm të sigurisë së portit dhe nxjerrjen jashtë të këtyre personave që janë të paautorizuar dhe të palicensuar. Tarifat i miraton Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nuk e ka të drejtë asnjë lloj koncesionari, autoriteti apo asnjë lloj operatori të vendosë tarifa ose taksa mbi autoritete apo operatorë”.

Ai gjithashtu theksoi se kalada e portit të Limionit është në pronësi të Portit Detar të Sarandës dhe koncesionari nuk ka asnjë të drejtë për të ushtruar kompetenca mbi të.

“Koncesionari pretendon se rruga, ku kalojnë këta operatorë i është dhënë asaj në përdorim dhe për këtë arsye ata mund të tarifojnë”.

Ndaj shoqërisë “Konkord Invest” ka nisur një çështje penale dhe Drejtori i Përgjithshëm i Porteve theksoi se nëse do të ketë sërish shkelje ndaj portit, duke cënuar sigurinë e tij, do të vijojnë me denoncimet në organet kompetente./

tvklan.al