Veç Teutës, Vllaznia dhe Laçi janë pretendentë

Përmbyset situata në Kategorinë Superiore pas javës 34. Tashmë është Partizani në krye, por me pikë të barabarta me Teutën për shkak të përballjeve direkte mes tyre.

Gjithsesi, ashtu sikurse në gjithë fazën e katërt të sezonit çështja e titullit mbetet e hapur. Lufta katërshe për t’u shpallur kampion vijon, ku Partizani, Teuta, Laçi dhe Vllaznia kanë ende shanset për titullin.

Thuhet se në futboll duhet fat, por fatin edhe duhet ta kërkosh. Kështu nga renditja aktuale, më së shumti Partizani është skuadra që e ka vetë në dorë fatin për titullin kampion, mjafton të fitojë dy ndeshjet e mbetura pa u shqetësuar se si do të jenë rezultatet e rivalëve.

Java e 35-të, e cila do të luhet e gjitha të premten, është “zjarr” pasi ofron dy përballje direkte mes pikërisht katër të parave, ato që janë pretendente.

Partizani pret Vllazninë, ndërsa Laçi pret Teutën. Të kuqtë duhet të mposhtin shkodranët, dhe ky do të ishte hapi më i madh në mënyrë që më pas në ndeshjen e fundit me Bylisin të jetë me i qetë. Ballshiotët mund të dalin jashtë loje për mbijetesën nëse humbin me Kastriotin.

Me ankth pritet edhe rezultati i ndeshjes tjetër, Laçi-Teuta, që mund të sjellë edhe ndonjë rokadë. Ekzistojnë akoma dy skenarët e çmendur që të kemi mbylljen e kampionatit nga tre ekipe me 66 pikë: Partizani, Laçi dhe Teuta, apo të katërta ekipet ta mbyllin me 64 pikë të barabarta.

Një foto-finish shumë intrigues i kampionatit që nuk ishte parë asnjëherë.

Tv Klan