Surprizat në listat e PS për 25 Prillin



Surprizat në listat e PS për 25 Prillin

18:12 03/03/2021

Kandidatët e Ramës, nga biznesmenët, funksionarët deri të opozita në kuvend

Listat e Partisë Socialiste për 25 Prill pritet të rezervojnë surpriza. Emra të rinj janë në diskutim në radhët e socialistëve për ti bërë pjesë te skuadrës që do kërkojë votën për një mandat të tretë qeverisës.

Disa ditë para publikimit të listave zyrtare me emrat e kandidatëve, qarku i Tiranës po sjell surprizat e para, largimin e Vasilika Hysit nga Partia Socialiste si dhe angazhimin e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj në fushatën e Tiranës, duke kryesuar listën në këtë qark.

I konfirmuar nga socialistët si kandidat për deputet në Tiranë është dhe bashkëpunëtori i Erion Veliajt Toni Gogu, prefekti i Bashkisë Tiranë, ndërsa i favorizuar pritet të jetë  zëvëndës ministri i Infrastrukturës, Etjen Xhafaj.

Risi për listat e Tiranës është dhe zhvendosja e Reme Lalës, nga Dibra në Kamëz dhe Paskuqan. Partia Socialiste ka hapur dyert në kryeqytet për eksponentë të opozitës parlamentare, të cilët nuk i kursyen votat pro ndaj çdo nisme të mazhorancës. Halit Valteri, Ylli Shehu dhe Edmond Rrushi janë deputetët që nën siglën e PS, do bëjnë përpjekjen e fundit për të fituar një karrige në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndër emrat që PS po diskuton për listën e  Elbasanit bie në sy si kandidaturë e mundshme  Albana Hana, vajza e ish-prokurorit Xhevat Hana, që për publikun u bë e njohur gjatë prezantimit të portalit “deputeti që duam” nga kryeministri Edi Rama.

Një mundësi për të qenë ligjvënësit e ardhshëm të vendit, duket se e kanë siguruar dhe Erald Xhanin dhe Bes Ajazin, si dy këshilltarët e nr.2 të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në listat e PS për qarkun e Elbasanit përflitet dhe ish-kryetari i Bashkisë së Peqinit, Sajimir Hasalla, si dhe prefekti i Bashkisë së Elbasanit Klevis Xhoxho.

Në qarkun e Fierit parashikohen  prurje te reja në listat e kandidatëve, një prej tyre Haki Çako, drejtor i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile si dhe ish nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe biznesmeni, Luan Bregasi.

Ish-ministri i LSI-së Nasip Naço, do kërkojë votën e qytetarëve të Beratit, tashme për Partinë Socialiste.

Për listën e kandidatëve të qarkut të Shkodrës pritet të ketë një zëvëndësim të Senida Mesit me prefekten e Bashkisë, Majlinda Agoni.

Një mandat deputeti në qarkun e Gjirokastës e synon dhe drejtori i Postës Laert Duraj, pas konfirmimit në listë të Bledi Çuçit dhe ish-ministres së Kulturës Mirela Kumbaro.

Të gjithë emrat e përmendur për skuadrën e PS, pritet të konfirmohen në ditët në vijim, 8 Marsi është afati i fundit për çdo parti politike që të dorëzojë listën zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Klan News







Të ngjashme