Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla kanë dalë në konferencë për mediat pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit. Hoxha theksoi në fjalën e tij se “po synohet destabilizimi i rajonit”, ndërsa Sveçla u shpreh se ka dyshime të forta që pas këtij sulmi qëndrojnë autoritetet serbe. Ai deklaroi se është sekuestruar një arsenal armësh dhe eksplozivi, i cili sipas tij është thuajse i pamundur të gjendet edhe në tregun ilegal. Në pranga kanë rënë 8 persona të dyshuar.

“Institucionet atakohen në vazhdimësi, cenohen nga elemente terroriste përfshirë edhe thirrjet për sulm ndaj policisë së Kosovës apo pajisjeve që përdorin. Një pjesë e këtij kufiri është vështirë e kontrollueshme, por duhen sa më shumë pajisje e uniforma në mënyrë që në një moment të caktuar të ketë rezistencë të organizuar, siç ishte në Banjskë. Kontrolli ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake. Këto do të shërbejnë si dëshmi për këto akte kriminal. Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material që është thuajse i pamundur të gjendet. Në rastet e mëhershme ne kemi dëshmuar se pajisjet e përdorura kanë dalë në rrugë zyrtare nga kazermat e ushtrisë së Serbisë, do e vërtetojmë që edhe ky kontigjen ka të njëjtën adresë.”

Sipas ministrit, ky sulm ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999. Ai shtoi se para drejtësisë do të vihen jo vetëm ata që kanë vendosur eksplozivin, por edhe ata që e kanë urdhëruar.

“Gjendja në 4 komunat në veri asnjëherë s’ka qenë më e mirë, por kjo nuk do të thotë se sulmet terroriste nuk do të ndodhin. Do të ketë hetime jo vetëm për ata që e kanë shkaktuar këtë sulm terrorist, por edhe si ka ardhur ky sulm. Dua të falenderoj të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që në rrethana të rrezikshme për jetën e tyre, por kryejnë detyrën ndaj qytetarëve dhe shtetit në maksimum.”

I pyetur se a është një pronar mediash në mesin e 8 të arrestuarve për rastin, ai u përgjigj kështu:

 “Nuk mund të deklarohem në këtë moment, është çështje e hetuesisë për të përcaktuar se çfarë kanë bërë. Unë nuk kam informacion në asnjë rast. Lirisht ju garantoj se mediat nuk janë target i institucioneve të Kosovës, nëse është arrestuar atëherë i bie që potencialisht është i përfshirë në veprat kriminale.”

Në mbyllje, Sveçla tha se eksplozivi është vendosur në shtratin e kanalit që është rreth 50 km i gjatë, e për këtë të fundit do kryhet monitorim më efikas.

Dyshohet se për shpërthimin është përdorur një sasi e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë. Ai ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

Janë sekuestruar nga Policia e Kosovës: Mbi 200 uniforma ushtarake, 6 raketahedhës dore, 3 granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, shuma parash si euro dhe dinar.

/tvklan.al