Teksa kanë mbetur edhe pak ditë që Sylvinho të publikojë emrat e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjet e fundit kualifikuese të Europianit, trajneri është duke analizuar kundërshtarët. Braziliani po sheh me detaje videot e takimeve të Moldavisë dhe Ishujve Faroe, jo vetëm të kualifikueseve të Euro 2024, por edhe të mëparshmet.

Grumbullimi do të nisë të hënën më 13 nëntor dhe do të jetë pak kohë në dispozicion, kështu që bashkë me stafin, braziliani po bën një volum të madh pune përgatitore për të mos i lënë asgjë rastësisë. Tekniku kuqezi vijon të mos tolerojë aspak nga objektivi i tij për t’i fituar dy sfidat e fundit.

E nëse në Air Albania me Ishujt Faroe do të ketë një mbështetje të jashtëzakonshme, tifozët nuk do të mungojnë as në Moldavi. Zyrtarisht do të jenë 800 vende të dedikuara publikut shqiptar në stadium Zimbru të Kishinjaut, por kërkesat janë shumë herë më të larta. Shqiptarë të shumtë do të udhëtojnë nga vende të ndryshme të Europës për të mbështetur kombëtaren, me shpresën që të sigurojnë biletë pas mbërritjes në kryeqytetin moldav.

Ndeshja do të luhet më 17 nëntor dhe si gjithnjë do të transmetohet në Tv Klan.

Tv Klan