Trajneri do të takojë futbollistët para miqësoreve të Marsit

Trajneri Sylvinho do të nisë shumë shpejt një tjetër tur për të takuar futbollistët e Kombëtares që luajnë në kampionatet europiane. Tv Klan ka të dhëna se ndalesa e parë e teknikut brazilian do të jetë në Angli për të parë nga afër formën e Armando Brojës.

Me përcaktimin edhe të miqësores ndaj Kilit, nis puna e vërtetë e trajnerit Sylvinho dhe të gjithë federatës. Teksa zyrtarët merren me organizimin e ndeshjeve, trajneri dhe stafi i tij kanë në fokus gjendjen e futbollistëve. Veç monitorimit të vazhdueshëm në distancë, tekniku do të nisë turin për t’i takuar nga afër futbollistët. Tv Klan mëson se udhëtimi i parë i Sylvinho do të jetë në Angli.

Takim, jo vetëm me Brojën si një nga futbollistët e rëndësishëm të përfaqësueses, por me gjasë edhe me trajnerin e Fulham, portugezin Marco Silva për të kuptuar më mirë gjendjen e sulmuesit. Me shumë mundësi, Sylvinho do të ndjekë nga afër ndeshjen Manchester United-Fulham.

Menjëherë më pas, ndalesa e radhës do të jetë në Spanjë. Teknikut do t’i duhen disa ditë për të takuar Uzunin, Baren dhe Balliun. Turneu nuk do të përfundojë me kaq pasi janë edhe lojtarë të tjerë që duhen takuar para sfidave miqësore, me shumë mundësi kuqezinjtë që luajnë në Turqi.

Me Kilin më 22 Mars dhe Suedinë më 25, tekniku do të grumbullojë futbollistët që ka përdorur në ndeshjet kualifikuese të Europianit, duke përjashtuar ftesa për lojtarë të rinj. Trajnerit i duhen futbollistë të sprovuar, për të luajtur miqësoret që do të shërbejnë për të parë formën e lojtarëve dhe rifreskuar taktikat dhe lojën e grupit në përgatitje të Europianit.

Sfidat miqësore të Marsit do të transmetohen në Tv Klan.

Tv Klan