Shqipëria mori fitoren dhe pikët e para në kualifikueset e Botërorit 2026, duke mundur 3 – 0 Andorrën të hënën në Tiranë. Kuqezinjtë e dominuan tërësisht takimin. Sylvinho bëri ndryshime në sulm që sollën edhe suksesin.
Manaj spikati me 2 gola të shpejtë në më pak se 20 minuta lojës. Tek i dyti Broja ia bëri më të lehtë shokut të skuadrës që të shënonte. Goli i tretë u realizua në çastet e fundit nga Uzuni, i cili u aktivizua gjatë pjesës së dytë.
“E meritonim fitoren që të ktheheshim në garë në grup. Kemi brë mirë. Jam krenar për lojtarët. Kemi ndryshuar pak skemën dhe funksionoi mjaft mirë. Dua t’i bej komplimente Shehut i cili bëri një ndeshje të mirë në ekuilibër për të vendosur një kundër një në krah, Broja është shumë i fortë”, u shpreh Sylvinho.
Kuqezinjtë u shfaqën të kënaqur për reagimin dhe golat e shpejtë.
“Normal dola i kënaqur sot sepse munda me fillu ndeshjen dhe dola nga fusha mirë fizikisht dhe kam dhënë edhe një assist për ekipin dhe jam shumë i lumtur që kemi fituar ndeshjen dhe kemi marrë tre pikë”, tha Broja.
“E dinim që në fillim duhet sa më shpejtë që të bëjmë golin e parë. Besoj nga minuta e parë deri në minutën e fundit kishim kontrollin e lojës”, u shpreh Laçi.
Shqipëria pas 2 ndeshjesh është e dyta në grup me 3 pikë falë edhe golavarazhit më të mirë se Letonia. Takimet e ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës 2026 do të jenë më 7 Qershor me Serbinë në Tiranë dhe 3 ditë më pas në transfertë me Letoninë. Këto përballje do t’i ndiqni si zakonisht në TV Klan.
Tv Klan