Trajneri: Të vlerësojmë gjendjen e lojtarëve, duhet të luajmë me shpirt

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho shfaqi objektivat për ndeshjet kualifikuese të Euro 2024. Në prag të takimit me Poloninë ai tha se duhet të luftohet për çdo pikë, nëse duan të shkojnë në Europian.

“Ne duhet të luftojmë për çdo pikë, nëse duam të kualifikohemi. Polonia është e fortë, e mësuar për të luajtur në Europian dhe Botëror, por ne do të shkojmë për të luajtur me zemër dhe shpirt atje”.

Kuqezinjtë janë me mungesa dhe me lojtarë të cilët kanë pak minuta si portierët Berisha e Strakosha, por kjo nuk duhet të jetë justifikim sipas trajnerit.

“Nuk duhet të qahemi për mungesat dhe duhet të punojmë sa më shumë. Kemi lojtarë që mund të bëjnë disa skema loje dhe duhet të vlerësojmë pasi të nisim stërvitjen ku do të shikojmë edhe formën e tyre”.

Sylvinho tha se gjatë 2 muajve janë ndjekur më shumë se 240 ndeshje dhe janë vlerësuar 70 lojtarë nga stafi për të mbërritur te lista me 23 futbollistë për këtë ndeshje. Shqipëria do të luajë me Poloninë më 27 mars në Varshavë. Këtë takim do ta ndiqni direkt në Tv Klan.

Tv Klan