Ndryshojnë kundërshtari ndryshon edhe strategjia e lojës, ndoshta edhe emrat në fushë por jo mentaliteti. Kjo u kuptua nga trajneri Sylvinho, i cili doli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Kroacinë, e cila do të luhet në Hamburg dhe do të transmetohet në Tv Klan.

“Kroacia ka lojtarë teknikë, të fortë fizikisht dhe me cilësi të larta pasimi. Kundërshtarët janë shumë të fortë, por edhe ne kemi lojtarë cilësorë si kapiteni Gjimshiti, Asllani, Broja, Muçi, etj., disa prej të cilëve të rinj dhe kanë nevojë ende për t’u rritur. Këto ndeshje do t’i ndihmojnë shumë ata të përmirësohen”, tha Sylvinho.

Tekniku vlerësoi mesfushën e Kroacisë.

“Është e vërtetë, mesfusha është zemra e tyre. Kanë emra si Brozoviç, Modriç, Kovaçiç, apo Perisiç, të cilët kanë luajtur dhe luajnë në nivelet më të larta, ndaj do të jetë shumë e vështirë. Duhet të luftojmë shumë dhe të bëjmë kujdes, për të mos u lejuar shumë, pasi dinë të shfrytëzojnë çdo gabim”, tha trajneri.

Kapiteni Gjimshiti si një nga lojtarët me më shumë përvojë, është përpjekur të inkurajojë shokët e skuadrës këto ditë pas humbjes me Italinë.

“Duke qenë se kam pak më shumë eksperiencë dhe më shumë vite se disa lojtarë, mundohem t’i ndihmoj disa nga lojtarët që janë më të rinj. E kam thënë pas Italisë që duhet të jesh pak më shumë inteligjent në këto lloj ndeshje dhe ta ndalësh ritmin e kundërshtarit. Nuk duhet vetëm të jesh i bukur në fushë, por të jesh edhe pak i pistë dhe në fund të marrësh atë që meriton”, tha Gjimshiti.

Tv Klan