Tekniku: Gjetëm një federatë të strukturuar, në Europian testojmë forcën tonë

Kualifikimi në Europian për herë të dytë i kombëtares shqiptare ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Zhvillimi i përfaqësueses kuqezi ka qenë në fokusin e medias portugeze ‘ZeroZero’, me trajnerin Sylvinho që ka rrëfyer gjithçka. Kushtet e krijuara nga FSHF kanë impresionuar 48-vjeçarin, dhe punën e madhe kërkimore që bëhet për gjetjen e talentëve të rinj.

“Gjeta një Federatë shumë të evoluar. Presidenti ka qenë gjithmonë në ndihmë. Kishte një farë frike nga ana jonë, sepse ky kompleks stërvitor është pikërisht në qendër të Tiranës, por e vërteta është se nga tifozët, nga njerëzit, ka vetëm respekt. Kam gjetur një Federatë shumë të strukturuar. E kuptuam shpejt që kishim një grup të mirë futbollistësh, pasi pothuajse të gjithë luajnë në kampionate shumë të rëndësishme. Në Serinë A, në Bundesligë, në Premier League, në La Liga, në Portugali, të gjithë këto kampionate kanë lojtarë shqiptarë.”

Sylvinho komentoi shanset e Shqipërisë në Europian.

“E dimë që grupi është shumë i vështirë. Ne duhet të testojmë forcën tonë. Në Federatën shqiptare janë dy situata shumë të qarta për ne: e para është Europiani dhe ne duhet të zhvillojmë një Europian të ndershëm, të fortë, me karakteristikat e ekipit tonë që nuk mund t’i ndryshojmë, idetë tona janë të panegociueshme. Pjesa e dytë përfshin përpjekjen për ta bërë Shqipërinë të konkurrojë në më shumë Kampionate Europiane dhe të fillojë të mendojë për të qenë në Kupën e Botës. Të dyja pikat janë të vështira, por ne jemi në një linjë të përkryer me Federatën”.

Braziliani përsëriti faktin se Shqipëria duhet të mësohet të luaj në kampionatin Europian, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të synohet edhe kualifikimi në Botëror.

“Është e vërtetë, ka një atmosferë euforie të madhe. Duhet të vendosim synime të arritshme, nuk mund të themi se jemi në këtë grup dhe është e detyrueshme të kalojmë më tej. Ne duam vazhdimësi, të jemi sërish në Kampionatin Europian, por është e rëndësishme të kontrollohet kjo eufori. Tifozi nuk ka kufi dhe ka të drejtë të ëndërrojë për Kombëtaren”.

Sylvinho ka një kontratë me kombëtaren shqiptare deri në muajin qershor, me opsion për ta rishikuar nëse gjithçka shkon mirë gjatë turneut që mbahet në Gjermani.

Klan News