Sylvinho debutoi në stolin e kuqezinjve me humbje. Mirëpo trajneri i kuqezinjve vlerëson lojtarët e kombëtares për të cilët tha se sot përballë Polonisë vunë në fushë shpirtin dhe zemrën. Sipas tij, skuadra kishte shanset e veta për ta barazuar sfidën, një rezultat të cilin e sheh si më të drejtin.

“Në këtë pikëpamje pra të punës që është bërë lojtarët më kanë kuptuar shumë mirë, idenë time, filozofinë time të futbollit. Ndryshova dhe modulin e ekipit dhe nuk është e lehtë. Por jam i kënaqur në këtë sens, ekipi m’u përgjigj shumë mirë. Kjo është pjesa kryesore. Unë e kam thënë  që duhet të kemi shpirtin dhe zemrën në fushë dhe ekipi e tregoi sot kundër një rivali shumë të fortë që është mësuar të luajë në europian apo në finale Botërori. Ne ishim në lojë deri në minutat e fundit. Kishim shansin për të barazuar. Me një rast do të kishim marrë një rezultat që mendoj se nëse Uzuni do e kishte bërë atë gol do të ishte rezultati më i drejtë”, tha Sylvinho për Tv Klan.

Sylvinho mendon se Shqipëria ia vështirësoi shumë punën Polonisë sonte dhe bëri një paraqitje shumë më të mirë.

“Atëherë ne prisnim që Polonia të kishte një ndryshim të fundit në skemë në qoftë se do të luante me 4-3-3. Mesa kuptuam ka ndodhur në moment të fundit me Zielinskin që mund të luante si fantazist. Por ne e njohim Santosin, por Zielinski u tërhoq ishte më shumë pjesë e mesfushës. Ata nuk është se bënë më shumë sepse nuk u lamë hapësira. Kemi markuar shumë mirë Zielinskin me Ramadanin apo Asllanin që alternoheshin me njëri-tjetrin. U kujdesëm shumë për pjesën mbrojtëse duke i minimizuar hapësirat në maksimum. Ata nuk u duk se luajtën më mirë sepse besoj se Shqipëria bëri një paraqitje shumë më të mirë dhe i vështirësoi shumë”, tha Sylvinho.

Grupi E ku është Shqipëria për eliminatoret e Euro 2024 për Sylvinho-n është i vështirë, por kombëtarja do t’i provojë të gjitha shanset.

“Kemi punuar mirë dhe jemi njohur me njëri tjetrin. Jemi stërvitur në shtëpinë e Futbollit në kushte shumë të mira. Dua të falenderoj Federatën për investimin që ka bërë. Për gjashtë ditë besoj se kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur. E dimë që është një grup i vështirë. Do të jetë një rrugë e vështirë deri në fund, por sigurisht ne do të provojmë shanset tona”, tha ai.

Ndeshja Poloni-Shqipëri përfundoi me rezultatin 1-0 për polakët. Sfida u transmetua në Tv Klan./tvklan.al