Kishin shenjat e gishtërinjve dhe inicialet e tij

Një palë syze të lëna në Benz-in e vjedhur që u përdor në plagosjen e trefishtë të së premtes çuan në zbulimin e Redjan Rrajës. Janë një palë syze dielli, në të cilat ishin gdhendur inicialet e emrit të tij. Por zbulimi erdhi nga shenjat e gishtave që ai kishte lënë mbi to.

Prokuroria e ka këtë provën kryesore. 34-vjeçari ka mohuar të ketë hipur ndonjëherë në makinën që u gjet e braktisur në Shkafanë, por nuk ka mundur të shpjegojë se si syzet e tij përfunduan aty.

Por kjo nuk është prova e vetme. Qelizat e antenave të celulareve tregojnë se Rraja ka lëvizur në zonën e atentatit pasditen e të premtes së 1 nëntorit.

Celulari i tij është regjistruar në disa antena të Durrësit, në afërsi të fshatit Shkafanë dhe të Fushe-Krujës ku banon. Ai u ka thënë prokurorëve se ky ishte një itinerar që e bënte çdo ditë për arsye personale, pa dhënë shumë detaje.

Një tjetër provë hetuesit shpresojnë ta marrin nga njëra prej maskave të gjetura në makinën e atentatorëve, në të cilën ka pasur mbetje të pështymës, që besohet se i përket 34-vjeçarit.

Edhe tek dy automatikët dhe gëzhojat e tyre shpresohet të përfitohen gjurmë pas ekzaminimeve të hollësishme që po kryhen në laboratorin e kriminalistikës.

Po analizohen edhe mbetjet në duart e Rrajës, për të parë nëse ka faktorë që vërtetojnë se ai ka qëlluar me armë.

Të gjitha këto gjurmë do të ishin zhdukur, thonë prokurorët, nëse atentatorët do të kishin arritur ta djegin makinën. Ata kishin marrë me vete edhe një bidon me benzinë, por nuk dihen ende arsyet përse u larguan pa i vënë flakën.

Tv Klan