Ish-deputetja Jorida Tabaku u takua me qytetarë në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë , të cilët u ankuan se askush nga qeveria apo Bashkia nuk i ka pritur për të vlerësuar gjendjen se si ata jetojnë pas tërmetit.

Shtëpia e një pensionisti i cili u shkatërrua nga tërmeti 14 muaj më parë, është ende gërmadhë, teksa qeveria nuk i jep zgjidhje se çfarë do të ndodhë me të.

Pensionisti: “Unë kam pension 18 mijë lek. Ku të marr shtëpi me qera unë? U shkatërrua shtëpia, me mobilie dhe të gjitha pasi u shemb shtëpia. ”

“Shteti nuk është për shqiptarët. Edi Rama mendon vetëm për të dhënë tendera e koncesione, nuk vjen tek shtëpia juaj. Vendi ka mbetur në vendnumëro. Pensionet kanë mbetur në vendnumëro. E shihni tek pensionet, rrogat, taksat R. Vetëm dështim. Rama dhe Veliaj janë fatkeqësi që duhet të largohen. Nuk ka socialist të ndershëm që mund t’i votojë më. Këta janë vetëm për veten e tyre. Nuk mund të jetojnë kështu shqiptarët në mes të Tiranës”, tha Tabaku.

“Asnjë socialist nuk më ka pritur” u shpreh një zonjë e pakënaqur nga indiferenca e qeverisë Rama.

Një tjetër zonjë shprehu shqetësimin e manipulimit të hartave në kadastër.

“Unë e kam shtëpinë dy katëshe, më del një katëshe. Dhe kur të vjen tek dera për të ta shëmbur, të paraqesin se është një katëshe. Sa ta gjesh se si e kanë hedhur në hartë ke marrë fund. Këta të fortët janë bërë të tmerrshëm.”

“Këtu e gjithë Shqipëria ka mbetur në vend numëro. Vetëm pesë veta kanë përfituar. Nuk është kjo Shqipëria që duam ne”, tha Tabaku me banorët

Partia Demokratike ka vijuar takimet me qytetarët që iu janë dëmtuar banesat nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Tabaku ka thënë se kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kanë favorizuar miq tyre dhe se për këtë Partia Socialiste nuk duhet të votohet në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Klan News