Një ndër masat që do të marrë Partia Demokratike për të ndihmuar biznesin menjëherë pas 25 prillit do të jetë heqja e pagesës korruptive të fiskalizimit.

“Ata që kanë paguar deri tani këtë nga 400 deri në 2000 euro për këtë afere korruptive, do t’i marrin paratë mbrapsht”, u garantoi ish-deputetja e PD Jorida Tabaku, tregtarëve të Tregut Çam në Tiranë. Gjatë vizitës që u bëri ajo bizneseve tha se se bizneset që paguajnë 400 deri në 2000 euro shtesë për sistemin e fiskalizimit janë bërë pjesë e një afere korruptive, prandaj nuk do ta implementojnë atë.

Jorida Tabaku: Te parat? Nuk do të zbatohet sistemi i fiskalizimit.

Biznes: Ajo pagesa që u bë, quhet?

Jorida Tabaku: Është e panevojshme dhe bizneset nuk do të kenë asnjë kosto nga kjo. Do të rimbursohen ato biznese që e kanë nisur instalimin.

Tregtarët i thanë Tabaku se mezi po kalojnë muajin dhe se po mendojnë edhe t’i mbyllin dyqanin e të largohen nga vendi, si rruga e vetme që u ka mbetur në një kohë kur politika vijon t’i injorojë problemet e tyre. Por ish-deputetja premtoi se situata do të ndryshojë me zgjedhjet e 25 Prillit dhe asnjë politikan nuk do të mund ta përdorë me pushtetin për interesat e tij dhe të një grupi klientësh, pasi në fokus do të jetë qytetari dhe biznesi i ndershëm.

Ish- deputetja Tabaku i shpjegoi biznesit se programi i Partisë Demokratike e çliron biznesin sipas saj nga barra e rëndë e taksave dhe pagesat korruptive dhe vendos drejtësi fiskale me taksën e sheshtë 0.5% mbi xhiron duke përfshirë dhe taksat lokale, si taksë që sjell lehtësira për sipërmarrjet dhe zhvillim për ekonominë kombëtare./tvklan.al