Deputetja demokrate zbardh edhe takimin me ambasadorët në kryesinë e Kuvendit

Menjëherë pasi ambasadorët u larguan nga kryesia e Kuvendit, deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka zbardhur në Klan News takimin që ajo dhe kolegët e saj patën me ta.

“U informuan në lidhje me përpjekjet pro njëkohësisht dhe me punën në komisionin e reformës territoriale dhe në komisionin e reformës zgjedhore. Me ligjin e amnistisë fiskale, kundërshtimet tona për këtë ligj, presioni nga ana jonë, por edhe nga ana e ambasadorëve që ky ligj të mos kalojë, por edhe zhvillimet politike të ditës”.

Sali Berisha propozoi që të gjitha grupimet e PD të dalin me një platformë të përbashkët për Reformën Territorale. Kjo mirëpritet nga Jorida Tabaku.

“Po, mua më vjen mirë në fakt sepse po  vijnë te kërkesa që ne kemi pasur. Kjo ka qenë kërkesa e zonjës Çupi që javën e kaluar ka qenë në kontakt me ekspertët, ka qenë në kontakt me kolegë të  PD që të vijnë t’i bashkohen propozimeve që ne kemi, me sa kuptoj janë të ngjashme. Nuk besoj që ka nga ana jonë absolutisht asnjë…kur them kundërshti, e kam në kuptimin pozitiv të fjalës që kushdo t’i bashkangjitet propozimit të zonjës Çupi”.

Deputetja demokrate reagoi edhe për rritjen e pagave të pedagogëve me 15%.

“Në qoftë se i thuhet universiteteve që do ta paguani nga të ardhurat tuaja, universitetet nuk kanë mundësi sepse aq është hapësira për pagat sepse këto fonde përdoren për shpenzime të universiteteve, është e pamundur të shkojë në paga. Fakti është që sot pedagogët kërkojnë një rritje 20-30%, duke  qenë se kemi një rritje mesatare të çmimeve 30%”.

Dyshimet se PD është financuar me para ruse, Tabaku i komentoi me një paqendrueshmëri deklaratash nga kolegët e saj.

“Në vitin 2017 disa kolegë të mitë të PD e mbrojtën dhe thanë që nuk ka mundësi që të ketë para ruse në PD. Sot, po ato kolegë të mi që atëherë e mbrojtën, sot janë duke atakuar dhe paskan thënë që mund të ketë një mundësi që ekziston. Thirrja ime e vetme është për organet e drejtësisë  që të flasin për këtë çështje, të ketë transparancë  në këtë proces”.

Tabaku u ndal edhe tek kriza energjetike, duke deklaruar se nuk është vetëm faji i luftës, por edhe i keqmenaxhimit nga ana e qeverisë.

Klan News