“Parti-shtet që krijon mburojë politike ndaj drejtësisë”

Ngritja e një grupi pune nga ana e maxhorancës për të monitoruar institucionet e pavarura se si plotësojnë detyrimet e procesit të integrimit, për Kryetaren e Komisionit të Çështjeve Europiane, njëherazi edhe e Këshillit Kombëtar të Integrimit Jorida Tabaku bie ndesh me Kushtetutën. Në një dalje për mediat, deputetja demokrate akuzoi Partinë Socialiste se po përpiqet të marrë funksionet që i takojnë parlamentit.

“Grupi i PS po përpiqet të marrë funksione të tjera që i takojnë parlamentit. Nga parti-shtet, po kthehet edhe në parti-parlament”.

Sipas Tabakut përmes ndryshimeve në Kodin e ri Penal, maxhoranca e majtë po kërkon të krijojë një mburojë politike ndaj institucioneve të drejtësisë.

“E gjithë kjo përpjekje për të kontrolluar drejtësinë dhe institucionin e hetimit vjen kur në sytë të qytetarëve SPAK po vazhdon të hetojë për aferën 430 mln euro të inceneratorëve. Në një aferë ku sa më shumë gërmohen inceneratorët aq më qartazi dalin fytyrat e kryebashkiakëve dhe deputetëve të mazhorancës”.

Ky akt politik për Tabakun është sulmi më i hapur që i bëhet institucioneve të drejtësisë që prej reformimit të sistemit në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016. Ajo i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë duke mbrojtur demokracinë që sipas saj me veprimet e njëanshme të socialistëve po zeron çdo përpjekje për reformimin e drejtësisë.

Klan News