Ashtu siç kishin paralajmëruar, Saimir Tahiri dhe Prokuroria apeluan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që e la ish-ministrin në arrest shtëpie. Tahiri kërkon heqjen e masës së sigurisë, ndërsa Prokuroria arrest me burg. Seanca do të zhvillohet në datën 28 Maj në Gykatën e Apelit për Krimet e Rënda.

Gjatë seancës për rivlerësimin e masës së sigurisë në Shkallën e Parë, avokati i Tahirit, Maks Haxhia shprehu bindjen se vendimi do të prishet nga Apeli. Sipas tij, Prokuroria nuk ka paraqitur prova të reja dhe thuajse është i njëjti material, që në Dhjetor të 2017 kjo gjykatë vendosi t’i rikthejë pasaporten.

Ndërsa organi i akuzës pretendon se gjatë 6 muajve të fundit janë mbledhur prova të reja që imlikojnë Saimir Tahirin në ndihmën që i ka dhënë në trafikun e kanabisit grupi të ‘Habiljave’. Gjithashtu Prokuroria e akuzon ish-ministrin edhe për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë.

Në seancën e datës 15 Maj pati debat të fortë mes ish-ministrit dhe prokurorit Besim Hajdarmataj. Tahiri gjatë gjithë seancës hodhi poshtë pretendimet e Krimeve të Rënda, duke sqaruar se ai asnjëherë nuk kishte takuar vëllezërit Habilaj apo i kishte krijuar lehtësi atyre në aktivitetin kriminal. Por Hajdarmataj tha se Tahiri është takuar me Artan Habilajn në Greqi.

Tv Klan