Pas takimit që zhvilloi tek Policia Rrugore e Tiranës, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se kontrollet për rripin e sigurimit do të vazhdojnë në mënyrë rigoroze, me qëllimin e vetëm për të rritur sigurinë në rrugë.

Fushatën sensibilizuese dhe ndëshkuese të Policisë për rripin e sigurimit, Ministri e konsideroi tepër të suksesshme pasi siç tha ai, në 1 muaj është bërë e mundur shpëtimi i 9 jetë njerëzish.

Nga ana tjetër, Tahiri njoftoi se hapi i radhës i policisë do të jetë sensibilizimi dhe më pas ndëshkimi për të gjithë atë që përdorin aparatin celular duke drejtuar mjetin.

Ai e konsideroi këtë të fundi një rrezik publik për shoqërinë.

“I kemi dëshmuar shoqërisë që vetëm në një muaj kemi shpëtuar 9 jetë njerëzish. Nga ana tjetër, duke filluar nga muaji që vjen policia do të nisë një fushatë sensibilizuese për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit. Pas rripit të sigurimit, celulari në timon është shkaku i dytë kryesor për aksidentet. Llogariten rreth 300 vdekje në vit për shkak të aksidenteve rrugore, për këtë arsye do të shtohet masa e gjobës për ata që përdorin celularin. Çdo person që përdor celularin në drejtimin e mjetit është rrezik publik, qoftë për drejtuesit e mjeteve, qoftë për këmbësorët”.

Tahiri theksoi se siguria në rrugë është shqetësim madhor, duke e konsideruar këtë dhe arsyen më të fortë për fushatën sensibilizuese dhe ndëshkuese për rripin e sigurimit, që sipas tij dha rezultate të shkëlqyera.

Aksidentet rrugore për tremujorin e fundit:

Numri i aksidenteve gjatë këtij tremujori është 507 aksidente. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë ky tregues është rritur 9,3 %, i shoqëruar dhe me rritjen e numrit të personave të aksidentuar, me 12,7 %.

Numri i personave të vdekur në aksidentet rrugore është 76. Krahasuar me tremujorin e dytë 2015, është rritur 11,8 %.

Numri i personave të plagosur është 627. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur me 14,1 %.

Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, numri i personave të plagosur femra është rritur 33,8 %, ndërsa tek meshkujt ky tregues është rritur 5,1%.

/tvklan.al