TAHIRIIIPronarët e tokave pranë varrezave të Sharrës dhe Tufinës do të shpronësohen dhe do të kompensohen financiarisht. Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë, e cila ka caktuar edhe shumën mbi 5 milionë lek për shpronësimin e 36 mijë metrave katrorë, 10 mijë në Sharrë dhe 26 mijë në Tufinë. Ky fond do të lëvrohet nga buxheti i Bashkisë së Tiranës. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një konferencë për shtyp, tha se kjo çështje është zvarritur për shkak të Bashkisë së Tiranës e cila kishte mungesa në dosjen e paraqitur në Ministri në qershorin e vitit të shkuar.

Ndërkaq Bashkia Tiranë e ka konsideruar si justifikim deklaratën e ministrit Tahiri duke thënë se nga shtatori deri në dhjetor ministri heshti ndaj kërkesave të vazhdueshme zyrtare dhe mediatike të Bashkisë. Në dhjetor përgjigja e Ministrisë dëshmoi e paaftësinë dhe panjohurinë e tyre për procesin. Bashkia e Tiranës i sqaroi zyrtarisht dhe në takime të posaçme zyrtarët e rinj, që kërkesat e tyre ishin joligjore. Bashkia thotë se ka qënë ajo që ka korrigjuar paaftësinë dhe paditurinë e zyrtarëve të Ministrisë së Rendit duke u kujtuar procedurat ligjore që duhet të ndiqnin të cilën e bënë vetëm sot me vendimin e qeverisë.

Duke e konsideruar shpronësimin si një zgjidhje jo të përhershme, qeveria do të ngrejë një grup pune që do të bëjë ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që të mos procedohet vazhdimisht me shpronësime tokash për varreza.

Javën e kaluar drejtoria e funeralit mori vendimin për mbylljen zyrtare të varrezave të Tiranës pasi në to nuk kishte më vend. Reagoi edhe Bashkia e Tiranës e cila bëri thirrje qeverisë për të zgjidhur sa më parë këtë çështje e cila mbetet peng i vendimit të saj për të vazhduar procesin e shpronësimit dhe hapjen e dy parcelave të reja. Por pronarë të tokave rreth varrezave, shprehën kundështinë e tyre mbi shpronësimin duke e konsideruar çmimin e paravendosur 600 lekë/m2 si qesharak.