Ministrit i Brendshme Saimir Tahiri, ka folur sot për mediat pas inspektimit në zonën e Universitetit Bujqësor të Tiranës në Kamëz ku po ndërhyjnë strukturat e IKMT me mbështetjen e FNSH dhe Policisë së Shtetit për lirimin e ambienteve universitare të zëna apo shembjen e ndërtimeve pa leje pranë UBT.

Tahiri tha se, “ky është një ndër ato aksione që për shkak të natyrës duhet të fillojë herët. Dhe ju keni qenë prezentë këtu që nga momentet e para të nisjes. Dua t’ju falënderoj ju dhe operatorët që keni asistuar gjatë kësaj kohe.

Në pikëpamjen tonë, kjo është saktësisht përplasja e Shqipërisë që gjetëm – me Shqipërinë që duam të bëjmë”.

Shqipëria që gjetëm me lokale dhe biznese shumëkatëshe të ndërtuara në oborrin e shkollës, duke i kafshuar mjediset publike mbi 15 mijë studentëve në këtë universitet.

Dhe Shqipëria që duam të ndërtojmë, ajo e hapësirave të gjelbërta, në shërbim të publikut dhe qytetarëve.

Ashtu siç është edhe përplasja e sistemit të drejtësisë që gjetëm dhe që ende kemi – me sistemin që duam të ndërtojmë mbi të gjitha pas Vetting-ut. Sot disa gjyqtarë ishin bërë gati të merrnin vendim për të siguruar këto objekte të paligjshme.

Sepse, tashmë të kthyer në një praktikë klienteliste dhe korruptive të konsoliduar, sa herë gjendemi përpara një ndërtimi pa leje, pavarësisht dimensioneve të çudisë dhe paligjshmërisë, gjenden gjithmonë disa gjyqtarë, të cilët kanë bërë zakon shkeljen e ligjit për shkak të parasë, të marrin në mbrojtje ndërtimet pa leje dhe të ndalojnë institucionet të bëjnë detyrën.

Ndaj e theksoj, kjo është Shqipëria e sistemit të drejtësisë së korruptuar që duam të pastrojmë, dhe përpjekja jonë për të ndërtuar sistemin e drejtësisë që i shërben ligjit dhe i shërben interesit publik, i shërben qytetarëve.

Nga njëra anë institucionet, siç e shihni dhe ju këtu, janë të angazhuara të bëjnë maksimalisht punën për t’i dhënë, – siç në rastin konkret studentëve apo qytetarëve, – hapësirat publike që

meritojnë dhe që iu janë mohuar për më shumë se dy dekada.

Nga ana tjetër ne jemi të vendosur të vazhdojmë me më shumë forcë sesa deri dje të gjithë procedurën e reformimit të sistemit të drejtësisë. Vetting-u është një hap që nuk ka kthim pas, pavarësisht rezistencës së të gjithë atyre që në ‘Frontin e të Keqes’ nuk duan që në këtë vend të ketë drejtësi për qytetarët, për fëmijët tanë dhe një Shqipëri më të drejtë e më të denjë.

Ne jemi shumë të vendosur dhe këto janë shenja të njëpasnjëshme për të bërë atë për të cilën na kanë besuar qytetarët

.

Jo të gjitha i kemi bërë, por po punojmë ditë për ditë për të kapur atë që kemi humbur, atë që kemi lënë pas gjatë dy dekadave të kaluara dhe për të ndërtuar Shqipërinë e të ardhmes”.