Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri sulmoi ashpër gjyqtarin Arjan Aliaj, që dha masën e pezullimit nga detyra ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, me urdhër të Prokurorisë, që po heton mbi futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të pajisjes italiane të përgjimit.

Në një aktivitet për 1 vjetorin e Komisariatit Dixhital, Ministri tha se Aliaj është një gjyqtar i shkarkuar për korrupsion dhe që ka liruar të arrestuar për krime të rënda, grabitës e përdhunues.

“Po për cilin motiv? Ka liruar nga burgu, të paktën 7 herë, njerëz të akuzuar për veprat më të rënda penale. Vrasje të mbetur në tentativë? E ka liruar nga burgu. Marrëdhënie seksuale me dhunë? E ka liruar nga burgu. Vjedhje me armë? E ka liruar nga burgu. E ky gjyqtar u shkarkua. Dhe papritmas, vite më pas kthehet në detyrë. Po i njëjti. Dhe sot ky gjyqtar ka guximin moral, për mos të thënë kurajon institucionale, për të shkelur ligjin me të dyja këmbët e për të dhënë një vendim tërësisht politik”.

Ministri tha se për të mbrojtur të tillë gjyqtarë e prokurorë, opozita kërkon vendet e rezevuara për Reformën në Drejtësi.

“Për të mbajtur peng Reformën në Drejtësi dhe mbi të gjitha Shqipërinë duan “vendet e rezervuara”. Po çfarë janë “vendet e rezervuara”? Për ata që nuk e dinë, e thënë thjesht: janë bunkeri i sigurt ku duan të fusin gjyqtarë alla Aliaj, prokurorë të çdo lloji të qelbur në korrupsion, për t’i mbrojtur e për t’i lënë sërish. Ky gjyqtar, është sot përfaqësuesi më evident i frontit të së Keqes. Front i të Keqes që përfshin prokurorë e gjyqtarë të qelbur nga koka, të mbrojtur nga SHQUP-istë të qelbur nga koka, të cilët nuk e duan Reformën në Drejtësi. E të cilët sot duan të mbajnë Shqipërinë peng”.

Ministri Tahiri tha se Reforma në Drejtësi është një betejë për të shembur sistemin aktual të kapur të Drejtësisë dhe theksoi se kjo betejë do të fitohet me çdo çmim e me çdo kosto.

Tv Klan