TNumri i veprave kriminale ka rënë, zbulueshmëria e tyre është rritur, ndërsa aksidentet rrugore kanë pësuar rënie. Kjo është situate e rendit për muajin dhjetor, e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012 e paqyruar në shifra nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, sipas të cilit kjo është ajo që shqiptarët kanë ëndërruar.

Buletini i publikuar nga Ministria e Brendshme jep detaje mbi ngjarjet kriminale, por në të nuk përfshihen vjedhjet apo grabitjet  me armë, ndonëse raste të tilla ka pasur jo pak gjatë muajit dhjetor. Megjithatë, i pyetur se përse mungon pasqyrimi i tyre, ministri nuk dha shpjegime.

Tahiri u pyet edhe për ndalimin e kalimit në kufi të automjeteve që rezultojnë me gjoba të pa paguara dhe mohoi zërat se shqetësim për këtë fakt kanë patur edhe misionet e huaja që asistojnë policinë shqiptare.

Më tej në fjalën e tij, Ministri Tahiri bëri me dije se brenda pak ditësh do të nisë faza e dytë e strukturimit, me implementimin e një pakete të plotë ligjesh për sigurinë publike. Në këtë konferencë të parë për shtyp për këtë vit, Ministri i Brendshëm shoqërohej nga Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi. Sigurisht që nuk munguan pyetjet e gazetarëve edhe për këtë të fundit, por edhe në këtë rast përgjigjet i dha vetë ministri Tahiri.