Saimir Tahiri doli këtë të martë para Gjykatës për Krimet e Rënda, për verifikimin e masës së sigurisë. Gjykata konfirmoi masën arrest shtëpie të dhënë të shtunën. 

Krimet e Rënda rrëzuan kërkesën e palës mbrojtëse, që kërkoi shfuqizimin e këtij vendimi. Pas seancës që zgjati rreth 2 orë e gjysmë, avokati i ish-Ministrit, Maks Haxhia tha jashtë ambienteve të gjykatës se 

“me gjithë materialin e prokurorisë nuk kishte asnjë provë të re që të tregonin implikimin e Tahirit në kryerjen e ndonjë vepre penale”. 

Haxhia e konsideroi ektreme masën arrest në shtëpi dhe tha se do ta apelojnë këtë vendim.

Ish-Ministri gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën për Krimet e Rënda

Ndërkohë gjatë seancës, prokurori Besim Hajdarmataj u shpreh se organi i akuzës ka dyshime të bazuara në prova se Habilajt janë ndihmuar nga Tahiri në trafik narkotikësh.

Ndërsa avokati i Tahirit, Maks Haxhia e cilësoi vendim të pabazuar masën e sigurisë arrest shtëpie, pasi sipas tij, nuk ekziston nevoja e sigurimit.

Tahiri mbërriti në gjykatë rreth orës 11:00, ndërkohë që gazetarët prisnin poshtë shtëpisë së tij. Ai evitoi daljen nga hyrja kryesore e pallatit ku banon dhe u shfaq tek Krimet e Rënda i shoqëruar nga efektivë të policisë.

Të shtunën, Gjykata vendosi të japë masën e sigurisë arrest shtëpie për ish-zyrtarin e lartë, megjithëse Prokuroria për Krimet e Rënda kishte kërkuar burg pa afat.

Mbi Tahirin rëndojnë akuzat për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Vendimin për dhënien e masës së sigurisë arrest shtëpi, gjykata e bazoi në prova të reja të servirura nga organi i akuzës.

Prova të reja, sipas hetuesve, janë letër-porositë e mbërritura nga Greqia dhe kanë të bëjnë me dyshimet se ai është takuar me një nga vëllezërit Habilaj. Një fakt i ri sipas akuzës janë dhe dëshmitë e reja të marra këto kohë në Shqipëri dhe jashtë vendit.

/tvklan.al