Shqipëria nuk ka nevojë për ambasadorë që të tregojnë për familjet kriminale. Kështu u shpreh ish – Ministri Saimir Tahiri duke folur për deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu. Ai tha se në Shqipëri nuk ka familje mafioze, por klane kriminale, që çmontohen lehtësisht. Ish – Ministri u shpreh se ambasadorët nuk duhet të bëjnë kritika publike, por kur flasin për policinë të ofrojnë ndihmë konkrete.

“Unë kam shumë respekt për ambasadorët në tërësi, pavarësisht se gjatë detyrës i kam njohur ndryshe, secilin me të vetat, njerëz janë edhe ata”.

Përfshirë edhe zotin Lu me të cilin nuk keni pasur kontakte vitin e fundit?

“Sigurisht. Unë nuk kam preferuar të jem lloji i politikanit që shtrihet barkas para një ambasadori. Për mua ambasadori është një fenomen si gjithë të tjerët. 

Unë kam menduar që Shqipëria është një vend sovran që duhet t’i zgjidhe problemet vetë. Në shtëpinë time nuk ka asnjë të huaj që të vijë dhe të më zgjidhë problemet. Në shtëpi tuaja nuk besoj që të ketë një njeri të huaj që të vijë të zgjidhe problemet.

Unë mendoj që nuk ka nevojë Shqipëria për ambasadorë që të tregojnë sesa familje, apo sa klane mafioze ka. Ia kam thënë që atëherë dhe jam gati ta përsëris edhe publikisht; Nuk më duhet mua fare kritika publike e një ambasadori, mua më duhet që kur të flasë për policinë, të vijë dhe të më japë ndihmë konkrete.

Ndër të gjithë ambasadorët, atë amerikan e veçoj për kurajo të pashoqe, krahasuar me këdo tjetër, edhe përpara. Kurajo të pashoq për të denoncuar. Në vlerësimin tim, Shqipëria nuk ka familje mafioze, është ekzagjerim i panevojshëm”.

Po familje kriminale, klane kriminale?

“Klane kriminale sigurisht ka, kollajllisht të çmontueshme, por Shqipëria nuk është kurrë vend që ka problem dhe plagë kaq të madhe kriminalitetin. Ne kemi trafik droge, 1 të 1 miliontën e Italisë. Ne kemi banda e kriminelë, 1 të 10 miliontën e çdo vendi të BE. “

Zoti Tahiri më fal, a dini ndonjë deputet të Parlamentit Europian të jetë fotografuar në të ulur në tavolinë me ndonjë kriminel.  

“Pafund. Sot që flasim Matteo Renzi shpalli kandidaturën për kryeministër, babai i tij është i hetuar për korrupsion.”/tvklan.al