Avokati: Nuk ishte në dijeni për orarin e seancës

Për të gjashtën herë radhazi seanca gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në Gjykatën e Apelit kundër Krimit dhe Korrupsionit nuk është zhvilluar. Shkak është bërë mosnjoftimi i Tahirit për seancën e së enjtes, si dhe kushtet e reja të zhvillimit të proceseve në periudhën e pandemisë.

“Shkaku ligjor ishte se nuk ishte konfirmuar nga Tahiri lajmërimi elektronik, dhe dje në darkë u komunikua vendimi ekzekutiv për hapjen, por gjithsesi as Gjykata as ne nuk ishim të gatshëm që të vazhdonim seancën. Ne jemi konsistentë në qëndrimin tonë, ne duam pafajësi”, tha avokati Maks Haxhia.

Edhe ish-drejtori I Policisë së Vlorës Jaled Çela po gjykohet në të njëjtin proces me ish-ministrin. Çela është dënuar nga Shkalla e Parë me 3 vite e 4 muaj burg, por avokati i tij pretendon se është i pafajshëm.

Ish-ministri Tahiri u dënua në Shtator të vitit të kaluar me 3 vite e 4 muaj burg, për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe në fund iu konvertua në 3 vite shërbim prove.

Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkonte dënimin me 12 vite heqje lirie, pasi akuzonte ish-ministrin se bashkëpunoi me grupin e Habiljave për trafikimin e lëndëve nakortike. Edhe Jaeld Çela është marrë i pandehur për të njëjtën akuzë.

Të dyja palët kanë ankimuar vendimin e Shkallës së Parë dhe tashmë procesi është zhvendosur në Gjykatën e Apelit, që pritet të zhvillojë seancën e radhës në 11 Qershor.

Tv Klan