Në mesin e personave të akuzuar si bashkëpunëtor me grupin e Habilajve, e që vijon të jetë ende në kërkim është edhe ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Pikërisht për këtë të fundit, i ftuar këtë të enjte në “Opinion”, Saimir Tahiri tha se besonte që ai ishte i pafajshëm, megjithatë nuk duhet të ishte larguar dhe duhet të ishte përballur me drejtësinë.

Blendi Fevziu:

Që nga nëntori i vitit 2017 janë në kërkim Jaeld Çela, ish-drejtor i Policisë së Qarkut Vlorë, Sokol Bode, ish-shef i Postës Kufitarë Dhërmi dhe Gjergj Kohila, ish-shef i Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Vlorës. Të gjithë vartësit e tu kryesor të Vlorës janë në kërkim.

Saimir Tahiri:

Unë njoh vetëm ish-drejtorin e qarkut, dy të tjerët s’i njoh fare. Sigurisht do të preferoja që askush të mos i ikte drejtësisë dhe nuk do të preferoja kurrë që të ishin në kërkim. Kanë qenë drejtues të policisë, i pari se dy të tjerët nuk quhen drejtues të policisë.

Blendi Fevziu: 

Ajo është piramidë pastaj, se ai emëron të tjerët.

Saimir Tahiri: 

Unë kam shpresuar që ai të sillej si qytetar. Ka qenë drejtues dhe duhet të shkonte të përballej me drejtësinë, edhe në qoftë se drejtësia ia ka futur kot. Ka punuar me mua si të gjithë drejtorët në Policinë e Shtetit. Unë besoj që është i pafajshëm. Në qoftë se ka prova prokuroria për fajësinë e tij, do të më vijë shumë keq se ka abuzuar me besimin tim.

Blendi Fevziu: 

Ju e besoni që është i pafajshëm. Ai vetë e quan veten të fajshëm kur largohet, se një i pafajshëm rri dhe thotë që jam gati të përballem me drejtësinë.

Saimir Tahiri: 

Unë po të them mendimin tim, se çfarë mendon ai dhe ti është tjetër gjë. Unë po të them se ka punuar me mua si shumë bashkëpunëtorë të tjerë, prirem të besoj që është i pafajshëm.

Blendi Fevziu: 

Pse duhet të mendojmë ne që ka abuzuar me besimin tënd dhe të mos mendojmë që ai ka qenë në bashkëpunim me ty në atë rast. Prokuroria ka shumë të drejtë ta mendojë këtë gjë.

Saimir Tahiri:

Pa diskutim ta hetojë. Unë nuk po them që prokuroria shqiptare nuk duhet të hetojë, përkundrazi. Mos harro që pas ngjarjeve të vitit 1997, ku 7 prokurorë hetonin 3 mijë vrasjet e ngjarjeve të këtij viti. Mesa di unë, jam çështja e dytë, ku angazhohen 7 prokurorë për të hetuar një çështje. Unë them mos i mbani 7, por bëjini 70 prokurorë, vetëm jepni drejtësi. Hetojini në maksimum, por ju lutem ktheni një përgjigje. Se me zvarritje kjo nuk ka kuptim./tvklan.al