Trafik droge, krijimi i grupit të strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, janë këto akuzat e ngritura nga prokuroria ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ai u paraqit këtë të enjte në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku u njoh me akuzat ndaj tij, një ditë pasi Prokuroria për Krimet e Rënda mbylli hetimet për të.

Për gazetarët, ish-Ministri Tahiri tha se nuk surprizohej nga akuzat e ngritura ndaj tij, megjithatë ai u shpreh se pas Aldo Bares, besonte se ishte i dyti që përballej me akuza kaq të rënda.

“Akuza ishte më e rëndë se kaq… ishte trafik droge, krijimi i grupit të strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. 

Unë besoj që, nuk më vjen ndërmend njeri tjetër, por pas Aldo Bares ndoshta, jam i dyti me këtë akuzë.

 Nuk është se ka ndonjë surprizë të madhe, prokuroria e komanduar, siç e nisi ashtu e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes që ka nga brenda për t’u marrë me këtë histori, nuk dua të merrem me drejtësinë. Do të vazhdoj ta respektoj deri në fund drejtësinë. “

Tahiri e konsideroi procesin ndaj tij politik dhe tha se e vërteta është tërësisht e kundërta.

“Kjo historia ime lindi si një proces politik, dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë, që janë aq bashkë sa janë ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Kështu që nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh. Ky është një proces i turpshëm, politik nga fillimi deri në fund, i komanduar nga fillimi deri në fund. E vërteta ime është komplet e kundërta nga ajo që mendon prokuroria.”

Ish-Ministri nuk pranoni të jepte një përgjigje i pyetur se nga kush komandohej ky proces, ashtu sikurse nuk pranoi t’i vendoste emra “atit, birit dhe shpirtit të shenjtë”.

I pyetur nëse disponon materiale kompromentuese për zyrtarë, ai dha këtë përgjigje: 

“Këtij vendi kaq të vogël i mjafton Baba Taku me çantën e zezë, nuk ka vend edhe për Saimir Tahirin. Unë kam vetëm të vërtetën time.”

Tahiri u shpreh gjithashtu se nuk i duhej mbështetja e askujt, kur u pyet nëse kishte mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama. 

“Nuk më duhet mbështetja e askujt, më duhet vetëm e vërteta ime”./tvklan.al