Nga Reparti i FNSH së Tiranës ku zhvilloi një vizitë, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri komunikoi sot vendimin e qeverisë për sigurim shëndetësor të posaçëm për punonjësit e Forcave Speciale në Policinë e Shtetit.

Në fjalën e tij, Ministri u shpreh se ky është një angazhim politik i kësaj mazhorance dhe qeverie, që shteti të marrë përsipër sigurimin shëndetësor të posaçëm për Forcat Speciale të Policisë, RENEA-n, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), Forcat Operacionale, të cilat kanë një detyrë të vështirë në operacione të vështira, me rrezikshmëri të lartë.

“Ata përballen me kriminalitetin në situata tepër të rrezikshme. Ndaj ne përmbushim sot një angazhim themelor të programit tonë lidhur me sigurinë në vend dhe trajtimin e punonjësve të Policisë. I kemi kushtuar një vëmendje shumë të veçantë trajtimit të punonjësve të Policisë, duke besuar se ka qenë e padrejtë që punonjësit e Policisë, përveç vështirësive në terren dhe në përballjen me kriminalitetin, të kishin vështirësi edhe në përmbushjen e detyrës, për shkak të mungesës së kushteve, të harresës historike dhe të lënies pas dore në mënyrë të vazhdueshme nga qeveritë. Ndaj ne mbushim këtë boshllëk 20 e kusur vjeçare, duke i kushtuar vëmendjen maksimale forcave speciale të Policisë së Shtetit. Janë djem e vajza që na bëjnë krenarë të gjithëve e që bëjnë operacione shumë të vështira”,

tha Tahiri gjatë fjalës së tij.

Ministri foli edhe për operacionin në Vlorë ku u arrestua i shumëkërkuari, Delin Hajdaraj duke i konsideruar këta djem e vajza si krenari të shoqërisë. Ai tha se qeveria po e kthen me mbështetje për të gjithë anëtarët e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit këtë krenari, që nisi me rritjen e pagave. 

“Këtë krenari të shoqërisë dhe qytetarëve, qeveria po e kthen me mbështetje për të gjithë anëtarët e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit. E nisëm me rritjen e pagave në 2014. Kemi vijuar me përmirësimin e infrastrukturës – pas meje është godina e re e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Vazhduam sërish këtë vit me rritjen e pagave. Kemi përmirësuar kushtet e punës, nga mjetet tek infrastruktura. Sigurimi shëndetësor i posaçëm është një mënyrë për të garantuar që punonjësit e Policisë nuk janë dhe nuk do jenë vetëm. Qeveria është dhe do jetë aty, për t’i ndihmuar dhe për të ndarë bashkërisht rrezikun e punës së tyre. Pra dua ta theksoj: është një angazhim i përmbushur. Si shumë të tjerë edhe ky është ndër angazhimet që morëm në vitin 2013 e inkorporuam në programin e qeverisë dhe sot e bëjmë realitet”.

Tahiri i siguroi të gjithë punonjësit e Policisë për vëmendjen e posaçme të qeverisë lidhur me trajtimin e tyre.

“Ne besojmë që ky vend mund të jetë shumë më i sigurt. Policia mund të shërbejë për qytetarët shumë më mirë vetëm atëherë kur punonjësit e Policisë nuk kanë probleme me trajtimin, me pagën, me infrastrukturën, me kushtet e punës. Sepse punonjësit e Policisë nuk mund të bëjnë një luftë të dyfishtë edhe me kriminalitetin edhe me harresën apo lënien pas dore nga qeveria. Ndaj kjo ka qenë bindja jonë. Ky ka qenë angazhimi ynë dhe këtë e kemi bërë realitet dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Unë e kuptoj që nuk është gjithçka ka nevojë Policia sot. Por, është pa asnjë dyshim shumë më shumë nga çka qenë në të kaluarën. Dhe është rruga më e mirë për të garantuar atë që do bëjmë në vazhdim”.

WhatsApp Image 2017-01-20 at 1.08.15 PM (3)

21 Janari, Tahiri: Nuk është vendosur drejtësi

Ministri Tahiri u pyet nga gazetarët edhe për 21 Janarin, pyetje së cilës iu përgjigj si më poshtë:

Pyetje: Z.Ministër nesër është 21 janari, mendoni a është vendosur drejtësi?

Ministri Tahiri: Patjetër ka shumë për të bërë. Drejtësia për “21 janarin” nuk është vendosur. Është një nga çështjet themelore ku dallohen shumë qartë të paktën dy gjëra. E para, krimi shtetëror që ka mbetur i pandëshkuar. E dyta, nevoja për të reformuar sistemin e drejtësisë, duke filluar më së pari me ata gjyqtarë që kanë sanksionuar një krim të dytë lidhur me ata që u vranë në 21 janar.

Qeveria para pak ditësh në mbledhjen e fundit mori një vendim për dëmshpërblimin e të gjithë vendimeve gjyqësore. Dua t’ju bëj me dije këtu që, ka qenë një vendim në pritje deri kur të mbaronin të gjitha procedurat gjyqësore për secilën prej familjeve. Procesi gjyqësor i fundit mbaroj në 12 janar. Dhe është kjo arsyeja pse në mbledhjen më të parë pas datës 12 janar ne morëm vendim për dëmshpërblimin e plotë të të gjitha vendimeve gjyqësore. Kjo nuk bën drejtësi. Kjo lehtëson dhimbjen e familjeve që kanë humbur familjarin e tyre të vrarë nga shteti në 21 janar.

Ndërkohë ne kemi marrë masa që kjo të mos përsëritet më. Pra 21 janari të mos përsëritet më. Kemi miratuar një ligj për armët dhe përdorimin e armëve ku sanksionohet kur ndodh që shteti përdor armët kundër qytetarëve.

Kemi miratuar një kuadër ligjor të plotë lidhur me sjelljen e institucioneve kryesisht Policia, Garda e Republikës në raport me qytetarin. Ka qenë angazhimi ynë i hershëm, shkrirja e Gardës së Republikës dhe është një ligj që miratohet shumë shpejt në Parlament lidhur me transformimin e Gardës, nga një trupë ushtarake në një trup policore që do i përgjigjet rregullave dhe normave standardeve të sjelljes së punonjësve me qytetarin.

Pra kemi marrë një sërë masash që garantojnë që ‘’21 janar’’ të mos ketë më Shqipëria. Cilado qoftë opozitë që proteston para qeverisë, cilido qoftë motivi pse protestohet përpara qeverisë. Ne kemi garantuar që ‘’21 janarët’’ të mos përsëriten më dhe të mos përsëritet më që shteti të vrasë qytetarët pse protestojnë përpara zyrave.

Nga ana tjetër ka qenë angazhimi ynë edhe për t’i dhënë zgjidhje definitive, asaj që ndodhi në 21 janar, asaj që ndodhi në Gërdec, pse jo dhe çdo problemi të rëndë madhor që kemi pasur me korrupsionin e zyrtarëve në detyrë apo me krimet e kryera nga qeveritë e kaluara.

Një angazhim ynë i madh ka qenë Reforma në Drejtësi. Reforma në Drejtësi zgjidh një herë e mirë mundësinë që shteti nëpërmjet gjyqtarëve të korruptuar të vrasë për herë të dytë, si ka ndodhur për fat të keq me familjet e “21 janarit”, që ende sot nuk kanë drejtësi. Pra sot ata që vranë në 21 janar nuk janë dënuar. Ata që fshinë kamerat në 21 janar nga Kryeministria, nuk janë dënuar. Ata që dhanë urdhër për të vrarë, nuk janë dënuar.

Dhe keni pasur së fundi edhe deklarata publike nga ish-kryeministri, i cili ka marrë përsipër urdhër-dhënien për vrasjet në 21 janar, madje ka kërcënuar se po të vijonte akoma më shumë do vriste. Ajo që është e rëndësishme është që ne të kuptojmë bashkërisht që kemi një borxh të trashëguar dhe ende të pashlyer lidhur me ata që u vranë nga shteti në 21 janar. Kemi një borxh të dyfishtë për të vendosur përpara përgjegjësisë penale dhe për të marrë dënimin e merituar ata që dhanë urdhër dhe ekzekutuan urdhrin për të vrarë në 21 janar. Dhe nga ana tjetër për të nxjerr përpara përgjegjësisë gjyqtarët që kryhen një krim të dytë me urdhër të po atyre që dhanë urdhër për të ekzekutuar, duke mos dënuar ekzekutuesit në 21 janar. Dhe nuk është habi për mua që pikërisht ata që dalin sot dhe flasin kundër Reformës në Drejtësi, ata që prononcohen kundër Vetting-ut, ata që prononcohen në emër me demek të shoqatave të gjyqtarëve, kundër Reformës në Drejtësi, janë pikërisht ata që kanë dhënë vendime në 21 janar. Kjo është e papranueshme për ne, por është një motiv më shumë për të shtyrë përpara Reformën në Drejtësi. Ne jemi angazhuar që drejtësia për “21 janarin” të bëhet. /tvklan.al