Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është njohur me akuzat e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe dërgon dosjen në gjykatë, ku e akuzon Tahirin për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ka zgjatur rreth 45 minuta komunikimi me grupin hetimor. Në dalje, Tahiri e cilësoi të turpshëm hetimin e Prokurorisë dhe të montuar politikisht.

I pyetur nëse disponon materiale kompromentuese për zyrtarë të ndryshëm, Saimir Tahiri dha këtë përgjigje: 

“Këtij vendi kaq të vogël i mjafton Baba Taku me çantën e zezë, nuk ka vend edhe për Saimir Tahirin. Unë kam vetëm të vërtetën time.”

Tashmë dosja pritet të shkojë në seancë paraprake, për të parë nëse Saimir Tahiri do bëjë ankim për akuzën. Do të jetë gjykata që do të vendosë mbi kërkesën e akuzës, për të dërguar dosjen në gjyq apo t’ia kthejë Prokurorisë për veprime të tjera.

Ish-Ministri i Brendshëm u hetua edhe për korrupsion, por Prokuroria nuk mundi të provojë akuzën dhe këtë të enjte vendosi ta pushojë.

Tv Klan